Nga kontrata e fshehta miliona euroshe te Diella – Aferat Rama – Tony Blair në kurriz të shqiptarëve

Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe ish-kryeministrit britanik Tony Blair vazhdon të ngrejë dyshime të forta për mungesë transparence dhe kosto të fshehura për buxhetin e shtetit.

 

Së fundi ka dalë në dritë se gjithë propaganda e Ramës për ministren “Diella” të inteligjencës artificiale është as më pak e as më shumë por vazhdë e aferave korruptive mes tyre. Instituti Tony Blair e ka dekonspiruar vetë këtë të vërtetë të thjeshtë. Në publikimet e tyre zyrtare ata thonë se në kuadër të fondeve që mbledhin nga institucione ndërkombëtare pjesë ekslusive të projektit kanë edhe projektin “Diella 2.0”

 

 

Kujtojmë se Instituti i Tony Blair ka hapur në vitin 2024 një degë në Shqipëri me adresë në “Torre Drin”. Dega ka vetëm 8 punonjës të regjistruar dhe ka raportuar të ardhura modeste, rreth 94 mijë euro, ndonëse prania e saj lidhet drejtpërdrejt me kontratat qeveritare.

 

Gazetarët që vizituan adresën konstatuan se në katin e deklaruar nuk kishte punonjës të Institutit, por vetëm një kompani kontabiliteti që njëkohësisht i ofron shërbime këtij institucioni.

 

Këshilli i Ministrave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit refuzojnë të publikojnë kontratat e plota të konsulencës me Blair-in, duke e lënë të paqartë se kush paguan dhe sa paguan për këto shërbime.
 

Zyrtarisht, qeveria këmbëngul se Blair këshillon “falas”, por faktet tregojnë një tjetër panoramë. Kujtojmë se Blair kur vjen në Shqipëri ikën nga Tirana në Jug të vendit me helikopter shtetëror, ku më pas akomodohet në vilar qeveritare.

 

Në vitin 2016, firma ligjore e Cherrie Blair, bashkëshortes së ish-kryeministrit britanik, përfitoi 645,000 euro nga qeveria shqiptare për përfaqësim në një çështje arbitrazhi ndërkombëtar. Po ashtu, janë dokumentuar pagesa të tjera, si 150,000 euro në rastin “Beketi vs. Albania”. Dhe sjellim në vëmendje se për çështjen Beketi shqiptarët po paguajnë arbitrazhin miliona euro.

 

Këto kontrata tregojnë se ndihma e çiftit Blair nuk është aspak “pro bono”, siç deklarohet shpesh.

 

Rama akuzohet se po blen shërbime lobimi dhe PR ndërkombëtar me para publike, duke i fshehur marrëveshjet nga sytë e qytetarëve.

 

Dyshimet shtohen nga fakti se qeveria shqiptare është një nga të paktat në rajon që refuzon të bëjë publike marrëveshjet e konsulencës me institucione ndërkombëtare.

 

Pyetjet që ngelen pa përgjigje janë:

 

-Sa kushtojnë realisht shërbimet e Tony Blair për Shqipërinë?

-Çfarë përfiton konkretisht publiku shqiptar nga këto kontrata?

-Pse fshihen dokumentet që duhet të ishin publike sipas ligjit për transparencë?

 

Deri më sot, këto përgjigje jo vetëm që mungojnë, por atyre u shtohet edhe “AI DIELLA”.

 

Ajo që mbetet është një marrëdhënie e errët Rama-Blair, ku fjalët “falas” e “këshillë strategjike” nuk përputhen me shifrat e majme që po dalin në dritë për ditë e më shumë.