Jet ski
TIRANË-Nga Komani në Ksamil, janë kontrolluar 525 mjete lundruese, kryesisht Jet Ski, skafe dhe gomone. Si rezultat i kontrolleve nga ana e policisë janë bllokuar për mungesë dokumentacioni, dhe për shkeljen e perimetrit të sigurisë 35 mjete lundruese, si dhe janë ndëshkuar pronarët e tyre, me masa administrative.
Mes mjeteve të bllokuara është edhe një makinë tip “Lamborghini” me ngjyrë të kuqe, e kthyer në Jet Ski, i dyti ky pas atij të bllokuar më shumë se një javë më parë. Po ashtu gjatë kontrolleve u gjet edhe një gomone e vjedhur në Lefkadha të Greqisë, teksa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Vijon monitorimi intensiv nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.
Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.
Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.
14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.
Nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit./ZËRI
