Pamje nga ngjarja
BUDVA- Marko Ljubiša Kan u qëllua dje teksa po merrte rreze dielli në pishinën e një kompleksi hotelesh në Budva. Ai u qëllua nga afër nga një burrë i paidentifikuar, i cili më pas u largua me vrap. Autori në moshë më të re, ishte veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra blu dhe mbante një peshqir rreth qafës, për të mos e ekspozuar fytyrën. I riu që qëlloi Kan, kishte marrë informacione që shënjestra e tij ndodhej prej muajsh në hotel dhe ishte regjistruar edhe vetë si pushues. Pasi vëzhgoi nga afër viktimën e tij, vendosi dje që të qëllonte. Tashmë hetuesit po kontrollojnë dhomën e hotelit ku ai ka qëndruar për të zbuluar identitetin e tij. Po ashtu, po kërkohen të dhënat ADN-je edhe nga peshqiri që ai mbante mbi gojë.
Policia gjeti edhe një xhip pranë plazhit Crvena Glavica, e cila dyshohet se është braktisur aty nga autori.
Aktualisht i plagosuri ndodhet në spitalin e Risanit, ku po merr edhe një ndihmë mjekësore. Fatmirësisht edhe pse është qëlluar në kokë, plumbi vetëm sa e ka gërvishtur dhe nuk i ka cënuar jetën.
Marko Ljubiša Kan është një person që ka qenë në shënjestër të disa sulmeve kriminale të ngjashme për shkak të angazhimit të tij me të ashtuquajturin “grupi Budvan”, të cilët janë të afërt me klanin Škaljar. Ai ka qenë në shënjestër edhe 5 herë para këtij sulmi, madje dhe Policia e kishte paralajmëruar se duhet të ruhej pasi jeta e tij ishte në rrezik. Megjithatë, edhe pas kësaj, Ljubisha vazhdoi të vizitonte vendet që kishte vizituar më parë.
I shënjestruar disa herë
Ljubiša Kan ishte shënjestër e sulmuesve më shumë se një herë. Ai u plagos në vitin 2009 dhe 2013 në Beograd, dhe në vitin 2019 u sulmua në Budva, kur iu shmang të shtënave nga kallashnikovët. Ai mbeti i padëmtuar atëherë, ndërsa dy nga miqtë e tij, Goran Slovinić dhe Goran Marković, u plagosën. Në vitin 2021 Lubisha u sulmua sërish në Budva. Në shkurt të vitit 2023, Marko Ljubiša Kan u arrestua pasi policia kontrolloi një restorant ku qëndrojnë shpesh anëtarët e një grupi kriminal dhe gjeti një pistoletë të markës “Česká zbrojovka” me një karikator me 17 fishekë. Vetë Khan konsiderohet si person me precedentë penalë, emri i të cilit ka qenë i pranishëm në raportet mbi ngjarjet kriminale në bregdetin malazez për vite me radhë. Megjithatë ai i mohon akuzat./ZËRI
