Rriqrat janë parazitë që mund të transmetojnë sëmundje të rrezikshme, si sëmundja e Laimit. Kjo sëmundje përhapet zakonisht nga rriqrat e drerit (ixodes scapularis), të cilat gjenden kryesisht në verilindje dhe Midwest të SHBA-së. Sipas një studimi të vitit 2024, gjysma e rriqrave të rritur në verilindje mbajnë bakterin që shkakton Laim.
Rriqrat nuk lindin me bakterin, por e marrin atë duke u ushqyer nga brejtës të infektuar. Megjithatë, edhe pse ushqehen nga drerët e bardhë, këta të fundit nuk infektohen dhe nuk e përhapin sëmundjen.
Rriqrat nuk kërcejnë apo fluturojnë, por ngjiten në bimë dhe zgjatin këmbët për të kapur një kafshë ose njeri që kalon pranë. Pasi ngjiten në lëkurë, ata thithin gjak për disa ditë. Nëse janë të infektuar, mund të transmetojnë Laimin përmes pështymës së tyre, por zakonisht duhet të qëndrojnë të kapur për të paktën 24 orë për ta bërë këtë.
Zakonisht, njerëzit mbrohen me përbërje si DEET ose permethrin, por një studim i ri i publikuar në PLOS One ofron një zgjidhje natyrale të papritur: lëkura e gomarit. Gomarët sekretojnë një përbërës natyral, (E)-2-octenal, i cili i zmbraps rriqrat. Ky përbërës mungon te kuajt, që janë më të ndjeshëm ndaj pickimeve.
Eksperimentet treguan se ky përbërës ndalon lëvizjen e rriqrave në terren, dhe mund të përdoret si zbythës për njerëzit dhe kafshët shtëpiake. Studiuesit besojnë se octenal mund të shndërrohet në një zbythës efektiv për përdorim njerëzor dhe potencialisht të zëvendësojë pesticidet për kontrollin e popullsisë së rriqrave në natyrë.
Ky zbulim mund të sjellë një hap të madh në mbrojtjen nga sëmundja e Laimit, veçanërisht në zonat ku ajo përhapet më shumë. / Discover Magazine – Syri.net
