Nga një gotë kos, një filxhan kafe e deri te një gotë lëng portokalli, për shumë njerëz, ky është imazhi klasik i një mëngjesi ‘të shëndetshëm’. Por çfarë ndodh në të vërtetë me stomakun tonë kur e nisim ditën me disa nga këto ushqime? A janë vërtet ato aq të pafajshme sa duken?
Shkenca e ushqyerjes ka zbuluar se jo të gjitha ushqimet janë të përshtatshme për t’u konsumuar me stomakun bosh. Disa prej tyre mund të irritojnë sistemin tretës, të shkaktojnë fryrje, aciditet apo edhe të kontribuojnë në sëmundje afatgjata si diabeti apo ulçera. Ndërkohë, disa ushqime të tjera janë aleatë të shkëlqyer për një mëngjes të shëndetshëm dhe funksionimin optimal të organizmit gjatë ditës.
Çfarë nuk duhet të hash në mëngjes?
1. Brumërat e fermentuara
Shumë prej nesh e nisin ditën me një simite apo një copë bukë të bardhë. Por produktet që përmbajnë maja shkaktojnë irritim të mukozës së stomakut, duke sjellë fryrje dhe ndjesi diskomforti.
2. Ëmbëlsirat dhe sheqeri
Sheqeri i konsumuar në mëngjes është një nga fajtorët kryesorë për rritjen e menjëhershme të insulinës në gjak. Kjo barrë e papritur për pankreasin, i cili sapo është ‘zgjuar’, mund të ndikojë në zhvillimin e diabetit dhe luhatje të energjisë gjatë ditës.
3. Kosi dhe produktet e fermentuara
Edhe pse konsiderohet si një burim i mirë probiotikësh, kosi nuk duhet konsumuar në mëngjes me stomak bosh, sidomos nëse është i thartë. Aciditeti i stomakut në atë moment shkatërron bakteret e dobishme, duke e bërë efektin pothuajse të pavlefshëm.
4. Domatet
Të pasura me acid tanik, domatet e freskëta mund të rrisin aciditetin në stomak dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ulçerës.
5. Trangujt dhe perimet e gjelbra të pagatuara
Megjithëse të pasura me fibra dhe aminoacide, këto perime mund të shkaktojnë urth dhe fryrje nëse konsumohen në mëngjes, pa asgjë tjetër në stomak.
6. Ushqimet pikante
Erëzat djegëse janë armike të mëngjesit: ato irritojnë shtresën e brendshme të stomakut dhe rrisin aciditetin, duke shkaktuar çrregullime të tretjes.
7. Pijet e ftohta të gazuara
Pavarësisht se disa njerëz i përdorin si “zgjim të shpejtë”, pijet e gazuara dëmtojnë membranën e stomakut dhe ndikojnë në qarkullimin e gjakut në këtë zonë, duke rritur rrezikun për gastrit dhe ulçerë.
Ushqimet që ndihmojnë në mëngjes
1. Tërshëra
Kjo super-ushqim krijon një shtresë mbrojtëse në muret e stomakut dhe ul nivelin e aciditetit. E pasur me fibra të tretshme, tërshëra ndihmon edhe në uljen e kolesterolit dhe përmirësimin e tretjes.
2. Vezët
Një burim i shkëlqyer proteinash dhe energjie. Studimet tregojnë se vezët në mëngjes ndihmojnë në kontrollin e urisë dhe zvogëlojnë nevojën për kalori gjatë ditës.
3. Boronicat
Të pasura me antioksidantë, boronicat ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës, mbajtjen e tensionit të gjakut nën kontroll dhe stimulimin e metabolizmit.
4. Arrorët
Në sasi të moderuar, arrorët (arra, bajame, lajthi) ndihmojnë në balancimin e pehashit të stomakut dhe përmirësojnë sistemin tretës. Janë gjithashtu burim i shëndetshëm i yndyrave dhe proteinave.
5. Mjalti
Ky eliksir natyror është një zgjues i butë për trupin dhe mendjen. Mjalti rrit prodhimin e serotoninës, hormonit të humorit të mirë, dhe ndihmon në përmirësimin e funksioneve kognitive.
