Elvisa, një zonjë nga Durrësi e rezidente prej vitesh në Itali, erdhi në vendlindje rreth një vit më parë për një kontroll rutinë dentar te dentisti i familjes së saj — një profesionist ku ajo ishte paciente prej dy dekadash. Ajo nuk kishte imagjinuar se çfarë do të pasonte më vonë.
Pas kontrollit, mjeku i tregoi për dy problematika në gojën e saj dhe shpjegoi se terapia do të zgjaste rreth një vit. Por, për shkak të angazhimeve si infermiere me turne në spitalin ku punon në Itali, Elvisa nuk do të mund të ishte vazhdimisht në Durrës për ndjekjen e trajtimit.
Në majin e vitit të kaluar, Elvisa merr një mesazh nga dentisti i saj ku njoftohet për orarin e takimit të nesërm — por mësoi gjithashtu se procedura nuk do të vazhdohej prej tij, por do t’i delegohej bashkëshortes së tij, një mjeke tjetër.
Nga kjo pikë nisën problemet. Asnjëherë nuk i dha sqarim për ndërhyrjet, ndërsa gjendja e saj jo vetëm që nuk u përmirësua, por u përkeqësua, duke ndikuar jo vetëm në pamjen estetike, por edhe në funksionimin e dhëmbëve.
Disa ditë më vonë, Elvisa kërkon sqarime në klinikë, por pa sukses. E shqetësuar, ajo u drejtohet një klinike tjetër në Itali, ku situata u rëndua edhe më tej — mjekja e atjeshme nuk pranonte se gabime ishin bërë, e as nuk sugjeronte ndonjë zgjidhje.
Edhe përpjekjet e Elisa-s për të kontaktuar klinikën në Shqipëri për të marrë përgjigje për gjendjen e saj janë hasur me indiferencë dhe përgjigje të ftohta, shpesh duke i thënë se janë të zënë dhe nuk mund t’i përgjigjen.
Komunikimi mes saj dhe klinikës u rikthye vetëm për të kërkuar pagesën prej 2250 eurosh — pa u marrë parasysh dëmet që i ishin shkaktuar.
Përtej dëmit fizik, kjo përvojë i shkaktoi Elisa-s edhe një dëmtim të rëndë psikologjik.
Për të marrë një opinion profesional mbi punën e këtyre dy mjekëve stomatologë, emisioni “Piranjat” tentoi të kontaktojë specialistë, por askush nuk pranoi të flasë hapur, duke i mbrojtur kolegët.
Vetëm një mjeke stomatologe, që pranoi të intervistohej anonim, sqaroi se procedura e ndjekur nga dentisti shqiptar ishte e gabuar dhe sipas raportit të mjekëve italianë, intervenimi i ka shkaktuar pacientes probleme serioze.
Në takimin e fundit me mjekët në Shqipëri, asnjë zgjidhje nuk i u dha Elvisës, e cila u përcoll nga klinika pa shpjegime.
Kur u kontaktua për t’u sqaruar mbi situatën, doktori titullar i klinikës refuzoi të përgjigjej për problemet dhe u mbylli telefonin me kërkesën e vetëm për takim, pa pranuar përgjegjësinë.
Elvisa vendosi të ndjekë çështjen në rrugë ligjore për dëmshpërblim dhe drejtësi.
