Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një vendim që i hap rrugën shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., për të negociuar me shoqëri private, për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare, e cila do ta përqendrojë aktivitetin në prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve të tjerë për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë në vend.
Sipas vendimit, “KAYO” sh.a. do të mbajë të paktën 40% të aksioneve në shoqërinë e re dhe do të kontribuojë me një sipërfaqe prej të paktën 20.000 m² në pasuri të paluajtshme, e cila do të vihet në përdorim nga shoqëria e përbashkët pa të drejtë tjetërsimi.
Pala private, nga ana tjetër, duhet të angazhohet për një investim minimal prej 15 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare, si dhe të sigurojë punësimin e të paktën 400 punonjësve dhe ofrimin e linjave moderne të prodhimit. Parashikohet që “KAYO” të ketë të drejtën e emërimit të administratorit me dakordësi, të paktën 30% të anëtarëve të këshillit drejtues ose mbikëqyrës dhe të drejtën e vetos në vendimmarrjet kyçe, në përputhje me ligjin nr. 88/2024.
Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të garantohet nga Forcat e Armatosura, sipas ligjit për autoritetet e komandimit të FA-së. Në përfundim, shoqëria e re do të autorizohet të furnizojë Forcat e Armatosura me uniforma dhe pajisje përkatëse, duke hapur rrugën për bashkëpunim më të ngushtë mes sektorit publik dhe atij privat në industrinë e mbrojtjes.
