Foto ilustruese
TIRANË- Kushdo që është përfshirë në fushatë apo në procesin zgjedhor, duke ndikuar për të mbledhur vota për kandidatë për deputetë do të humbasë statusin e nëpunësit civil. Por jo vetëm kaq! Rrezikojnë edhe vendin e punës. Sipas një dokumenti të siguruar nga “Weblajm”, shteti ka nisur një kontroll ndaj administratës publike. Kërkesa është bërë nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, që i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në një letër zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisioneri kërkon informacion mbi çdo denoncim apo konstatim të ardhur pranë KQZ-së. E gjitha do të bazohet në procesin e monitorimit që është zhvilluar gjatë periudhës 11 prill – 11 maj 2025.
NJOFTIMI I DEPOZITUAR:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KOMISIONERI PËR MBIKËQYRJEN E SHËRBIMIT CIVIL
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E INSPEKTIMIT DHE MBIKËQYRJES
Nr. 533 Prot. Tiranë, më 23.05.2025
Lënda: Kërkesë për informacion në lidhje me konstatime të institucioneit të KQZ-së, apo denoncime të ardhura pranë këtij institucioni, për veprime të nëpunësve civilë të çdo niveli të administratës publike, që vijnë në kundërshtim me rregullimet ligjore për administrimin e procesit zgjedhor, si dhe për administrimin e shërbimit civil.
KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVEKOMISIONERIT SHTETËROR TË ZGJEDHJEVETiranë
I nderuar z. Celibashi,
Në përfundim të procesit zgjedhor, Komisioneri është duke administruar dhe analizuar të dhënat e dërguara nga institucionet pjesëmarrëse që përfshihen në sistemin e shërbimit civil, të cilat kanë lidhje me monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë përgjatë periudhës 11.04.2025 – 11.05.2025, që përkon me fushatën zgjedhore që zhvilluan subjektet politike në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025.
Ne vijim të bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë këtij procesi, duke vlerësuar rolin e këtij institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, sipas kompetencave të përcaktuara në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i RSH”, i ndryshuar, si dhe duke marrë parasysh rregullat e detajuara në Vendimin nr. 9/2020 të KQZ, “Për regjistrat e raportimit të veprimtarive me karakter publik të çdo institucioni publik e me kapital shtetëror, agjencive, etj. që veprojnë, karakter të veprimtarive të ndaraura, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës publike për zgjedhje”, kërkojmë të informohemi në lidhje me konstatime të mundshme apo denoncime të regjistruara pranë institucionit tuaj, për veprime të nëpunësve civilë të çdo niveli të administratës publike që vijnë në kundërshtim me rregullimet ligjore për administrimin e procesit zgjedhor, apo për administrimin e shërbimit civil, duke evidentuar punonjësin dhe llojin e shkeljes, për rastet kur ata janë proceduar administrativisht, apo janë në proces hetimi administrativ.
Për sa më sipër, do të vlerësonim bashkëpunimin tuaj, për të dërguar informacionin që ju dispononi, si dhe çdo dokumentacion të nevojshëm në këtë rast, brenda një afati të arsyeshëm, në kuadër të përmbylljes së procesit të monitorimit që ka zhvilluar Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil./ZËRI
