Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos kërkojnë dënim me vdekje për Joaquin Guzman Lopez, djalin e bosit famëkeq të drogës nga Meksika, Joaquin “El Chapo” Guzman, nëse ai shpallet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij në Çikago.
Vendimi u bë publik përmes një njoftimi nga prokurori Andrew Boutros, pa dhënë asnjë shpjegim shtesë për këtë qëndrim, raporton AP.
Avokati i Guzman Lopez, Jeffrey Lichtman, tha për Associated Press se ishte i kënaqur me vendimin, duke e quajtur atë “të drejtë”. “Joaquin dhe unë po presim të zgjidhim akuzat që rëndojnë ndaj tij”, shtoi ai.
Joaquin Guzman Lopez është biri i El Chapo-s, ish-udhëheqës i kartelit famëkeq Sinaloa, i cili për më shumë se 25 vite kontrabandoi sasi të mëdha kokaine dhe drogash të tjera në SHBA. El Chapo u dënua në vitin 2019 me burgim të përjetshëm pas një procesi të gjerë penal.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se Joaquin dhe vëllai i tij, Ovidio Guzman Lopez, drejtojnë një fraksion të kartelit të njohur si “Chapitos” (Chapo-t e vegjël), i identifikuar si një nga eksportuesit kryesorë të fentanilit drejt SHBA-së. Në vitin 2023, autoritetet amerikane zbuluan aktpadi të gjera kundër dhjetëra anëtarëve të këtij karteli, përfshirë dy vëllezërit Guzman.
Joaquin Guzman Lopez dhe një tjetër drejtues i kartelit, Ismael “El Mayo” Zambada, u arrestuan në korrik në Texas pasi mbërritën në SHBA me një avion privat. Ai përballet me tetë akuza, përfshirë pastrim parash, trafik droge dhe konspiracion për shpërndarje të substancave të ndaluara. Ai ka deklaruar pafajësinë e tij në gjykatë.
