Ç’ndodhi me 4 ton fileto derri me salmonelë? AKU për ZËRI-n: E kemi asgjesuar që me 23 prill!

Foto ilustruese

TIRANË- Në Shqipëri ka hyrë sërish mish me salmonelë. Por kësaj here bëhet fjalë për 4516.75 kg mish të kontaminuar, që nuk është pulë, por fileto derri. ZËRI ka kontaktuar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të marrë një përgjigje zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur me sasinë e mishin që është futur në vendin tonë. Sipas një përgjigje që kemi marrë via “WhatsApp”, nga shefi i Departamentit të Riskut dhe Komunikimit në AKU, Tomi Kola, mishi është asgjesuar i gjithi. 
“Sasia e mishit në fjalë është asgjesuar në datë 23 prill,”-tha për ZËRI-n, shefi i Departamentit të Riskut dhe Komunikimit në AKU, Tomi Kola. Po ashtu, në rrjetet sociale të institucionit, AKU ka dalë me një njoftim zyrtar dhe sqarues lidhur me atë që ka ndodhur me mishin e importuar sërish nga Brazili. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se mishi është bllokuar që më datë 28 janar të këtij viti, dhe ka qëndruar në magazinat e subjektit importues, që në këtë rast është “Frigo Alba”, deri më datë 16 prill. Pasi analizat kanë dalë, është bërë edhe kërkesa për asgjesimin. Madje, në sqarimin zyrtar “sigurojnë” të gjithë konsumatorët se sasia e mishit është asgjesuar, madje dhe në prani të institucioneve të tjera.

NJOFTIMI ZYRTAR I AKU: 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të informimit të publikut dhe transparencës, shpreh shqetësimin për përhapjen e lajmeve të pavërteta të publikuara në disa media dhe portale në lidhje me sigurinë ushqimore. AKU sqaron opinionin publik se sasia prej 4516, 75 kg fileto mish derri e importuar nga Brazili, është bllokuar nga ky Autoritet më datë 28.1.2025, pas raport analizave të kryera, ku ka rezultuar i kontaminuar me salmonella spp. Nisur nga ky fakt, sasia e mishit fileto derri ka qëndruar e bllokuar në magazinat e subjektit importues, deri më datë 16.4.2025, kohë kur subjekti importues ka bërë kërkesë për asgjësim, autoriteteve kompetente si: Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorit (Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit të Ujërave), Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë dhe Drejtorisë Rajonale AKU Tiranë. Sigurojmë konsumatorët se sasia prej 4516, 75 kg fileto mish derri është asgjësuar në prani të të gjithë përfaqësuesve të autoriteteve kompetente të lartpërmenduara. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë ushqimore, në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit.
Por mishi i importuar nga Brazili dhe i kontaminuar me salmonelë nuk është një rast i veçuar, pasi vetëm së fundmi, 17 fëmijë që frekuentonin kopështin nr.1 publik në Gramsh, rezultojnë të jenë të infektuar me salmonelë. Ndërsa dy muaj më parë, u zbulua një tjetër skandal me mishin e pulës me salmonelë, pasi rreth 20 ton mish pule rezultoi të ishte futur në vendin tonë, 15 prej të cilave janë konsumuar. Mishi u shpërnda në treg nga kompania “diMal” dhe ‘AMG FOOD’. Për të shmangur raste të tilla, Bashkimi Europian, por edhe Kosova, kanë ndaluar me ligj importin e mishit nga Brazili./ZËRI