“Kantieri i aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, ku tashmë po punohet me intensitet të shtuar për përmbylljen e kësaj vepre të shumëpritur”- shkruan Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe ministre. Pas fitores spektakolare në qarkun e Fierit, që nuk e arriti asnjë nga drejtuesit e qarqeve, Belinda Balluku është kthyer intensivisht në punët e përditshme si ministre.
Gjurma e këtij aksi kalon përmes një terreni të vështirë dhe malor, ndërkohë që për shkak të motit punimet kanë avancuar me ritëm më të ulët. Tashmë me përmirësimin e kushteve atmosferike do të punohet me orare më të zgjatura. Zëvendëskryeministrja Balluku tha se për përfundimin në afatin e parashikuar në kantieret do të punojnë me dy turne.
“Brenda kësaj vere ne duam që të dorëzohet Qukës-Qafë Plloça, për këtë arsye unë kam folur me supervizorin dhe i kam kërkuar që ti qëndrojë në kokë diçkaje që është zgjidhja përfundimtare, krijimi i dy turneve operative që duhet të nisin nga herët në mëngjes dhe duhet të përfundojnë vonë në darkë, sigurisht duke plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë në punë që është shumë e rëndësishme”, tha Balluku.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli bëri të ditur se mirëmbajtja dimërore e këtij aksi, i cili ndodhet në një lartësi të madhe, është një tjetër sfidë, por që tashmë ARRSH ka eksperiencën e duhur për të garantuar që qarkullimi të vijojë pa problematika edhe gjatë stinës së dimrit, ku kjo zonë është e njohur për reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta.
