Sipas Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, është kapur në Dubai shtetasi Armis Stafa, alias Armees Stava, 36 vjeç, i lindur në Elbasan.
Ky shtetas është i kërkuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila në vitin 2024 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ai akuzohet për pastrim parash në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, duke përdorur shitblerjen e automjeteve për të larë paratë e një grupi kriminal në Elbasan, të përfituara nga shtetasit F. G. dhe H. B., dy vëllezër të dyshuar për veprimtari kriminale.
Operacioni “The Wanted” vazhdon me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
