SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur.
SPAK do t’u komunikojë sot Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës zyrtarisht 3 akuzat, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Ndërkohë Monika Kryemadhi ndodhet në masën detyrim paraqitjeje, ndërsa Ilir Meta në arrest me burg, i arrestuar më 21 tetor 2024.
Ish-çifti Meta-Kryemadhi, të cilët u divorcuan pak kohë më parë, janë hetuar për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim apo fshehje pasurie.
Monika Kryemadhit do t’i komunikohen akuzat në mesditë nga SPAK, ndërsa ish-presidentit Meta pritet t’i komunikohen akuzat në orën 14:00. Akuzat do t’u komunikohen edhe personave të tjerë të ekspozuar në këtë dosje, përfshirë Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon.
Brenda pak ditësh, SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë, ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim, apo do të pushohet.
