Atentati ndaj shqiptarit të kërkuar për vrasje në Shqipëri/ Jepet pretenca në Belgjikë

Foto ilustruese

BELGJIKË- Zyra e prokurorit publik të Belgjikës të Halle-Vilvoorde kërkoi dënime me burgim nga 2 deri në 10 vjet kundër 3 personave që dyshohet se janë përfshirë në një sulm me armë në Asse në maj 2023. Sipas prokurorit publik, ngjarjet në Zellik ndodhën gjithashtu në kontekstin e një gjakmarrjeje.
Mediat e huaja shkruajnë se të shtënat ishin një përpjekje e dështuar për një vrasje mes disa personave të komunitetit shqiptar. Objektivi, një 44-vjeçar shqiptar, i cili ishte vetë i kërkuar pasi kishte kryer një vrasje në Shqipëri pak muaj më parë, para se të ishte objektiv i atentatit. Ai arriti të arratisej dhe iku me taksi drejt Brukselit, pas së cilës u largua nga vendi. 
Por edhe nga sulmuesit, një prej tyre mbeti i plagosur. Ai u dërgua në një spital në Holandë disa orë më vonë nga dy rumunë, që e kishin futur brenda një “Porsche Cayenne”.
Edhe pse ndaj të akuzuarve është dhënë pretenca, identiteti i asnjërit prej tyre nuk është bërë me dije nga mediat e huaja. 
Zyra e prokurorit publik kërkon 2 vjet burg kundër dyshes.
“Roli i tyre ishte të gjenin një vend ku makina mund të digjej, por edhe duhej të ndihmonin autorët të largoheshin nga vendi,”- tha zyra e prokurorit publik.
Avokatët e dy rumunëve të rinj kërkuan lirim nga akuzat, pasi sipas tyre, dyshja u përfshi në çështjen penale krejtësisht papritur. 
“Ata nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me atë tentativë vrasjeje. Ata ishin me pushime nëpër Evropë me një Porsche me qira. Atë natë, ata po prisnin trenin pranë Oudenaarde, kur papritmas dikush u trokiti në xhamin e makinës. Menduan se ishte shitësi i drogës sepse janë përdorues, por pastaj njeri i plagosur hipi në makinë.”
Ndërkohë, prokurori publik kërkon një dënim me 10 vjet burg për personin e plagosur, i cili u zhduk pa gjurmë pasi u shtrua në spital dhe nuk u paraqit në gjyq. Bashkëpunëtorët e tjerë nuk u identifikuan kurrë./ZËRI