Foto ilustruese
TIRANË- Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka lëshuar 121 leje ndërtimi ose zhvillimi në qarkun e Tiranës, por edhe ndërtime apo rikonstruksione të tjera në të gjithë vendin. Në mbledhjet e fundit të shkurtit dhe marsit, KKTU ka miratuar leje për të ndërtuar disa qiellgërvishtëse në Tiranë, një prej të cilave shkon deri më 53 kate banimi mbi tokë, pa llogaritur hapësirën e parkingut poshtë godinës. KKTU ka dhënë leje për 16 kulla në Tiranë dhe 8 të tjera në Vlorë, por edhe për ndërtimin e vilave në jug të vendit dhe jo vetëm. Godina më e lartë në Tiranë do të jetë “Barcelona Tower”, e cila do të ngrihet në Tiranë.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë multifunksionale “Barcelona Tower” 53 kate mbitokë me 7 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bami Holding” sh.p.k”
Një tjetër qiellgërvishtëse do të ngrihet përballë ambasadës amerikane, me 47 kate mbi tokë dhe 7 nën tokë, e quajtur “Embassy Tower”. Kompania ndërtuese është Hanxhari Group, e cila zotërohet nga Adjon Hanxhari.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Embassy Tower” – Godinë banimi dhe shërbimi me 47 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, me vendndodhje pranë Rrugës së Elbasanit, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë ”Hanxhari Group” sh.p.k.”
LEJE TË TJERA PËR KULLA:
Leje Ndërtimi për objektin: “Objekte banimi, zyra, hotel dhe shërbime 7-34 kate mbitokë me 2 kate parkim nëntokë, me vendndodhje në “Bulevardin e Ri”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Startek” sh.p.k.
Leje Ndërtimi për objektin: “Great Ring Rock” – Godinë banimi dhe shërbimi me 32 kate mbi tokë, me vendndodhje pranë Rruges “Teodor Keko”, Bashkia Tiranë, me subjekte zhvilluese shoqëritë “Albus Invest” sh.p.k dhe “Loraldo” sh.p.k.
Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimesh 35 kate mbitokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ksamil Seavieë” sh.p.k.
Gjithashtu është miratuar edhe ndërtimi i disa vilave private në disa zona të ndryshme të vendit, si në periferi të Tiranës dhe në jug të vendit. Ndërsa në Lezhë është dhënë leje ndërtimi për fazën e dytë të “Dukagjini Resort”, hotel dhe kazino në Shëngjin. Sa i përket lejeve të ndërtimit në rrethe dallon ajo në Fier, ku KKT ka miratuar termocentralin që do të ndërtohet në Roskovec nga “Terna” dhe “Gener 2” i Bashkim Ulajt. Leje për park fotovoltaik është dhënë edhe në Kukës, Durrës dhe Darzezë. Po ashtu, janë dhënë edhe dy leje për HEC-e, një në Pogradec dhe një në Kukës.
Edhe pse Fatmir Bekteshi ka akuza për 2 çështje të ndryshme në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka marrë leje ndërtimi për ndërtimin e vilave në Farkë: “AbA 2”, Kompleks Banimi me godina 2 – 3 kate mbi tokë dhe 1 kat parkimi nëntokë, me vendndodhje në Rrugën e Turdive, Njësia administrative Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kontakt” sh.p.k.
Ndërsa sa i përket godinave të shtetit, do të rikonstruksiohet pallati i Kulturës në Tiranë dhe godina e DRSHTRR Fier – Dega Lushnje./ZËRI
222jpg
1jpg
Dokumenta bashkëngjitur
