SYRI TV/ Plug denoncon aferën e strehimit social, ‘zhduken’ 83 milionë euro të strehimit

Emisioni plug në Syri TV publikoi një tjetër aferë të Bashkisë së Tiranës, ku implikohen ish-kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama. Në emision u publikuan fakte sesi bashkia në bashkëpunim me qeverinë, zhvatën miliona euro në emër të strehimit social, por që nuk i kthyen kurrë në strehë për qytetarët.

Sipas të dhënave të Censit, të vitit 2023, në Tiranë janë rreth 60 mijë familje të pastreha, të cilat jetojnë me qira sepse nuk përballojnë dot blerjen e një banese të re për shkak të çmimeve të larta. Në preteksin e nevojës për strehim, në vitin 2018, qeveria miratoi një ligj ku parashikonte se çdo ndërtues që do të ndërtonte objekte mbi 2 mijë metra katrorë, do t`i falte bashkisë 3% të sipërfaqes së ndërtimit, e cila më pas do të përdorej për nevojat e strehimit.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga emisioni plug, gjatë viteve 2019-2024, Bashkia e Tiranës do të duhet të kishte marrë një sipërfaqe prej 83 mijë metra katrorë, apo sipërfaqe e mjaftueshme kjo për 110 apartamente, e cila nëse do të përllogaritet në para, me çmim reference kap shifrën e rreth 83 milionë eurove.  Por nga të dhënat, rezulton se Bashkia e Tiranës, ka arkëtuar vetëm 27 milionë euro dhe rreth 30 apartamente, ndërsa më shumë se 50 milionë euro të grumbulluara nga kjo taksë nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Jo vetëm kaq, por Erion Veliaj së bashku me Edi Ramën, dyshohet se kanë favorizuar ndërtuesit, duke shkelur ligjin për strehimin social. Që në vitin 2019, Erion Veliaj vendosi me VKM, që ndryshe nga sa parashikonte ligji për dhurimin e 3% të sipërfaqes, ndërtuesve ju krijua mundësia që ta paguanin këtë hapësirë edhe në para me çmim reference.

Kjo lehtësi dyshohet se favorizoi ndërtuesit e kullave, të cilët nuk kanë dhuruar sipërfaqe ndërtimi, por pjesën takuese ndaj bashkisë së Tiranës, e kanë paguar në para me çmim reference, ndërsa të njëjtën sipërfaqe e kanë shitur më pas me çmim tre apo katër herë më shtrenjtë.

Pjesë e kësaj skeme është dhe kryeministri, i cili aferën e Erion Veliajt, e ligjëroi më vonë duke ndryshuar ligjin. Ndërkohë, ligji për strehimin social, ka favorizuar edhe ndërtuesit në bashki të tjera të vendit, ku pushteti lokal ka mbledhur taksa por nuk ka ofruar zgjidhje për strehimin.