BILD
Populistja e krahut të djathtë, Marine Le Pen u shpall fajtore në një gjyq të gjatë për përvetësim fondesh tëe BE-së këtë mëngjes në Paris.
Sipas bindjes së gjyqtarëve, kryetarja aktuale e grupit parlamentar të partisë së saj Fronti Nacional është fajtore për përdorimin e paligjshëm të katër asistentëve të parlamentit të BE-së për detyra që nuk korrespondonin me funksionet e tyre, duke përfshirë një truproje dhe tre asistentë personale, gjatë kohës së saj si eurodeputete.
Vetë Le Pen kishte thënë se një dënim mund të nënkuptojë “vdekjen e saj politike”.
Tetë eurodeputetë të tjerë nga partia e saj u shpallën gjithashtu fajtorë.
Më e rëndësishmja, Le Pen përballet me një ndalim pesë-vjeçar për të kandiduar në zgjedhje, edhe nëse ajo apelon vendimin.
Kjo do të bllokonte kandidaturën e planifikuar të Le Pen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Ëndrra e saj e përjetshme do të shkatërrohej.
Dënimet e tjera – zyra e prokurorit publik ka kërkuar dy vjet burg dhe tre vjet me kusht plus një gjobë prej 300.000 euro – do të pezulloheshin në rast të apelimit.
Akuza qendrore është se partia e Le Pen merrte para nga Parlamenti Europian për asistentët e parlamentit, të cilët punonin pjesërisht ose tërësisht për partinë. Në total, thuajse 7 milionë euro thuhet se janë devijuar nga Brukseli në Paris midis viteve 2004 dhe 2016.
Kjo do të thotë se partia anti-BE, e cila është shumë e kufizuar në para, e lejoi veten të mbështetej nga taksapaguesit evropianë. Deri në vitin 2017, Le Pen promovoi shumë “Frexit”, daljen e Francës nga BE, dhe kritikoi vazhdimisht Gjermaninë.
Sistemi i tyre u ekspozua nga një informacion i ish-kryetarit të parlamentit Martin Schulz, i cili kishte informuar autoritetin përgjegjës OLAF për rastet e mashtrimit dhe korrupsionit.
Babai i Marine Le Pen, themeluesi i partisë ekstremiste të krahut të djathtë dhe mohuesi i Holokaustit, Jean-Marie Le Pen, gjithashtu u akuzua fillimisht. Por ai u shpall i papërshtatshëm për t’u gjykuar dhe më pas vdiq në janar në moshën 96-vjeçare.
