Shtetet e Gjirit përdorin luksin dhe lajkat për të fituar zemrën e Trumpit

Eskorta devesh dhe kuajsh arabë. Një aeroplan luksoz i ofruar si dhuratë. Qindra burra që kërcejnë me daulle dhe shpata para pallateve prej mermeri.

Shfaqje ekstravagante luksoze dhe lajkatuese përshëndetën Presidentin e SHBA-së, Donald Trump në çdo fazë të udhëtimit të tij katër-ditor nëpër Gjirin Persik, i cili përfundoi të premten. Itineraret e tij në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dukeshin të përshtatura për një zhvillues pasurish të paluajtshme të shndërruar në president, i cili mund të jetë i ndjeshëm ndaj lajkave, transaksional në marrëdhëniet e tij me politikën e jashtme dhe tërhiqet nga pasuria ekstreme.

Në masën që këto shfaqje ishin të dizajnuara për të fituar favorin e Trump, ato mund të kishin funksionuar shumë mirë. Ndërsa shtetet e Gjirit njoftuan triliona në investime të mundshme në SHBA gjatë vizitës së tij, ato gjithashtu morën shumë në këmbim.

Të enjten, SHBA-të ranë dakord të bashkëpunojnë me Emiratet e Bashkuara Arabe për të ndërtuar një kampus masiv të inteligjencës artificiale në atë shtet të Gjirit. Në një veprim të papritur të martën, Trump pranoi të heqë sanksionet ndaj Sirisë me kërkesë të Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, edhe pse disa nga këshilltarët e Trump rekomanduan kundër afrimit me Sirinë, presidenti i ri i së cilës, dikur ishte një komandant i al-Kaedës.

“Oh, çfarë bëj unë për princin e kurorës!”, tha presidenti para turmës në konferencën e investimeve në Riad, ku njoftoi vendimin.

Analistët thanë se lëvizja rajonale e Trump mund të shërbejë si model për vendet e tjera pritëse, që kërkojnë një rrugë drejt zemrës së presidentit. Trajtimi që mori Trump gjatë gjithë javës, dukej pothuajse një zgjatim global i asaj që ndodh rregullisht në Uashington, ku anëtarët e kabinetit nxitojnë të lavdërojnë mprehtësinë dhe vizionin e Trump, dhe shpesh i përshkruajnë arritjet e administratës në terma superlativë.

“Ata luajtën mirë rolin e tyre”, tha për udhëheqësit e shteteve të Gjirit, Laura Blumenfield, analiste e Lindjes së Mesme në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit John Hopkins në Uashington. “Koreografia e turneut mbretëror të Trump ishte mbresëlënëse.”

Megjithatë, Trump u largua nga Lindja e Mesme pa siguruar një armëpushim ose rinovimin e ndihmës humanitare për Gazën. Demokratët dhe mbikëqyrësit e qeverisjes së mirë ngritën shqetësime në lidhje me vendimmarrjen e Trump, që po ndikohej nga spektakli mbretëror dhe nëse përpjekjet e tij diplomatike mund të përdoren për të çuar më tej operacionet e gjera të biznesit të familjes së tij në Gadishullin Arabik.

“Ndjehet sikur Trump po luhet nga disa prej këtyre udhëheqësve, me pompozitetin ceremonial dhe sarkazëm”, tha Brett Bruen, një ish-këshilltar i politikës së jashtme i Presidentit Demokrat Barack Obama dhe president i kompanisë konsulente Global Situation Room.

“Shumë nga këto ngrenë pyetje, nëse Trump po merr çmime personale apo po përparon vërtet interesat e SHBA-së në rajon”, shtoi ai.

Administrata Trump ka thënë vazhdimisht se është e përkushtuar ndaj transparencës dhe se i përmbahet të gjitha ligjeve të etikës, për të shmangur konfliktet e interesit.

“Vendet në Lindjen e Mesme po ‘bëjnë çmos’, sepse Amerika është përsëri e fortë”, tha Taylor Rogers, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë. “Udhëheqësit e huaj e dinë se Presidenti Trump është kryebërësi i marrëveshjeve, politikat e të cilit të paqes, përmes forcës kanë rivendosur dominimin e Amerikës.”

TRAJTIM MBRETËROR

Madhështia nisi përpara se Trump të ulej në Arabinë Saudite të martën, ndalesa e parë e udhëtimit të tij. Ndërsa Air Force One zbriste drejt Riadit, avionët luftarakë sauditë F-15 u shfaqën pranë tij për të shoqëruar aeroplanin presidencial. Pasi presidenti eci mbi një qilim ngjyrë livandoje, autokolona e tij u shoqërua në Oborrin Mbretëror, në një rrugë të rrethuar nga kuaj arabë.

Për të mos mbetur pas, Katari i dha Air Force One një avion luftarak eskortë të vetën, ndërsa ai zbriste në Doha të mërkurën. Dhe në vend të kuajve të thjeshtë, Katari shtoi devetë në përzierje, si dhe Tesla Cybertrucks, të cilat janë bërë të njohura në mesin e disa mbështetësve të Trump, për shkak të lidhjes së tyre me CEO-n e Tesla-s, Elon Musk, një këshilltar i ngushtë i Trump. Një varkë tradicionale me vela, së bashku me një velë me flamur amerikan lundroi në gjirin aty pranë.

Në oborrin mbretëror të Katarit, Divanin e Emirit, Trump u mburr me cilësinë e mermerit. Stili i Trumpit anon shumë nga guri i bardhë dhe ari, elementë që shfaqen shumë në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida dhe të cilët ai i ka shtuar në Shtëpinë e Bardhë, që kur mori detyrën.

Emiri i kishte ofruar më parë Trumpit një aeroplan luksoz Boeing 747-8 për të zëvendësuar Air Force One, një dhuratë që po ngre pyetje kushtetuese dhe shqetësime etike edhe nga disa republikanë të tjerë. Dhe të enjten, ai i ofroi Trumpit një sërë komplimentesh personale, megjithëse ato lidheshin me shumë me diplomacinë sesa me stilin.

“Jemi shumë të emocionuar”, tha emiri. “E di që je njeri i paqes. E di që dëshiron të sjellësh paqe në këtë rajon.”

Trump, gjatë gjithë udhëtimit, nxitoi të ofronte komplimente në këmbim. “Më pëlqen shumë. Më pëlqen tepër”, tha Trump për bin Salman, pa përmendur rolin e dyshuar të udhëheqësit në urdhërimin e vrasjes së gazetarit saudit me bazë në SHBA, Jamal Khashoggi, në vitin 2018. Bin Salman ka mohuar përfshirjen në vrasje dhe administrata e ish-Presidentit Joe Biden vendosi që ai kishte imunitet nga një padi e ngritur kundër tij në SHBA.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al Nahyan, tha Trump më vonë gjatë javës, është një “njeri i mrekullueshëm”.

Me të mbërritur në Abu Dhabi të enjten, ndalesa e fundit e udhëtimit të tij, Trump vizitoi Xhaminë e Madhe masive dhe të zbukuruar Sheikh Zayed me princin e kurorës së Emirateve. Trump u mahnit nga bukuria e saj dhe ajo që ai e quajti “një kulturë e jashtëzakonshme”.

Në pallatin mbretëror Qasr al Watan atë mbrëmje, Sheiku Mohamed i dhuroi Trumpit një dhuratë të fundit gjatë udhëtimit të tij: Urdhrin e Zayedit.

Gjerdani varëse e stilit barok, nderi më i lartë civil i vendit, është bërë prej ari të pastër./ Reuters.