Kryeministri Edi Rama përdori Samitin për Sigurinë e Europës për të mbuluar masakrën elektorale.
Ndërsa liderët e Europës ndodheshin në Tiranë për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe refugjatëve, Rama e shfrytëzoi fjalën e tij për të justifikuar vjedhjen e zgjedhjeve. Një tjetër akt manipulimi, që rrezikoi të shkaktonte një skandal diplomatik, ishte manipulimi i liderëve të Europës për të firmosur mbi “Yllin simbol”, një element që Rama dhe Partia Socialiste përdorën për fushatën e zgjedhjeve.
Pas pesë orësh shfaqje, me gjunjëzime dhe humor me inteligjencë artificiale, kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi samitin për të mbuluar masakrën elektorale. Madje, pasi përdori prezencën e liderëve europianë për të mbuluar vjedhjen e zgjedhjeve, vendosi që ata të firmosnin simbolin e PS-së për zgjedhjet.
Para liderëve të Europës, Rama e cilësoi fitoren si një dëshmi të orientimit europian të vendit, por shmangu tërësisht gjetjet e OSBE-ODIHR për këtë farsë zgjedhore. Kryeministri shfrytëzoi tryezën për sigurinë e Europës për të mbuluar vjedhjen e zgjedhjeve, ndërsa nga panelistët vetëm presidenti francez Emmanuel Macron foli për zgjedhje të manipuluara, duke përmendur rastin e Rumanisë.
Liderët e pranishëm kishin në fokus të fjalëve të tyre luftën në Ukrainë dhe kërkesën për armëpushim. Një tjetër çështje që dominonte diskutimet në samitin e Komunitetit Politik ishte çështja e emigracionit, që është kthyer në një shqetësim të madh për Britaninë dhe Gjermaninë.
Siç ishte edhe programuar, Samiti ishte një takim për të dhënë mesazhe për sigurinë dhe emigracionin, dy sfida me të cilat po përballet Europa, dhe u mbajt në Shqipëri, një nga vendet me numrin më të lartë të emigrantëve në kontinentin europian.
