Mashtrimi mbi 1 miliard euro/ Si u godit banda e shqiptarëve ‘PumaTs’

Një bandë shqiptarësh pritet të dalë përpara një gjykate në Saksoni të Gjermanisë.

Katër shqiptarë – tre burra (nga 26 deri në 31 vjeç) dhe një grua (29 vjeç) – dyshohet se kanë qenë të përfshirë për vite me radhë në një organizatë të quajtur “PumaTs”.

Kjo organizatë ka vepruar nga Shqipëria, Lituania dhe Gjeorgjia, duke operuar mbi 500 platforma mashtrimi investimesh online.

Banda ka shkaktuar një dëm të përgjithshëm prej mbi një miliard eurosh në mbarë botën, sipas një përfaqësuesi të Prokurorisë së Përgjithshme.

Për viktimat në Saksoni, dëmi është rreth 40 milionë euro, thuhet në raport.

Tre shqiptarëve u janë ngritur akuza për “mashtrim me grupe kriminale të organizuara përmes paraqitjes masive të investimeve të rreme online” në 646 raste. Gruas shqiptare i janë ngritur akuza për gjithsej 685 raste.

Po si funksionon “cybertrading”?

Mashtruesit ofrojnë produkte të dyshimta investimesh në internet për tregti. Pasi premtojnë fitime të mëdha me investime të vogla, disa njerëz bien shpejt në grackë. Shpesh viktimat e ardhshme drejtohen në portalet e mashtrimit përmes reklamave, me qëllimin që të marrin të dhënat e tyre personale. Kjo çon në krijimin e llogarive për klientët në platforma tregtare online të rreme. Paratë e investuara transferohen në llogari jashtë shtetit.

Si u kapën shqiptarët?

Një nga të akuzuarit është arrestuar më 8 nëntor 2022 në Gjeorgji, ndërsa gruaja e akuzuar u arrestua më 6 tetor 2024 në Itali dhe më vonë u ekstradua në Gjermani. Dy të tjerët e dorëzuan veten në shkurt të vitit 2024.