Vrasja e Martin Canit/ Gjykata e Lartë cakton datën për shqyrtimin e kërkesës së Përlleshajt që kundërshton ‘arrestin në burg’

Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Tiranës vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të tij për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, Gjykata e Lartë ka caktuar datën për shqyrtimin e kërkesës së Mario Përlleshajt mbi kundërshtimin e masës së sigurisë arrest në burg. I mituri akuzohet si autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij Martin Cani në 18 nëntor të vitit të kaluar pranë shkollës “Fan Noli”, ndërsa Shkalla e Parë refuzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Ndërkohë, togat e zeza të Gjykatës së Lartë e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici do të vendosin më datë 3 prill në orën 10:00 nëse do e pranojnë kërkesën e mbrojtjes së Përlleshajt për ndryshimin e masës shtrënguese, apo do lënë në fuqi vendimin e 2 shkallëve më të ulëta të gjyqësorit. Mbrojtja e të miturit pretendon në rekursin e saj se nuk ekzistojnë dyshimet e arsyeshme, kontestimet mbi ekspertizën e rrethanave të ngjarjes, nevojat specifike të tij dhe kërkesën për të mos ndërprerë proceset edukative, të mirërritjes dhe të zhvillimit normal të një të mituri si dhe marrjen në konsideratë të nenit 86 të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur, ku parashikon rrezikshmërinë.

Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar si dhe Luis Meçaj. Prej nëntorit të 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.