Kur mund të thuhet se kanceri është shëruar ose në përmirësim?

Pasi një pacient ka përfunduar trajtimin për kancerin, mund t’i thuhet se sëmundja është ose në “përmirësim” ose se është “i shëruar”. Megjithatë, këto terma kanë kuptime të ndryshme.

Çfarë do të thotë që kanceri është në përmirësim? Ka dy lloje të përmirësimesh së kancerit: “përmirësim i plotë” dhe “përmirësim i pjesshëm”. Përmirësim i plotë do të thotë që kanceri po i përgjigjet trajtimit dhe nuk ka më shenja apo simptoma të sëmundjes. Gjithashtu, skanimet ose testet e gjakut nuk tregojnë praninë e qelizave kanceroze. Përmirësim i pjesshëm do të thotë që trajtimi po funksionon, por disa qeliza kanceroze ende mbeten në trup. Në kontrast, kur një pacient ka “sëmundje të qëndrueshme”, do të thotë se kanceri nuk po përkeqësohet, por as nuk po përmirësohet nga trajtimi. Mjekët nuk mund të parashikojnë se sa do të zgjasë përmirësimi; kanceri mund të rikthehet pas disa javësh ose pas disa vitesh.

Kur konsiderohet kanceri i shëruar? Nëse një pacient mbetet në përmirësim të plotë për pesë vjet ose më shumë, disa mjekë mund të thonë se ai është “i shëruar”, që do të thotë se ka një mungesë afatgjatë të simptomave ose shenjave të kancerit. Megjithatë, edhe nëse një pacient konsiderohet i shëruar, qeliza kanceroze të pazbuluara mund të mbeten në trup dhe të shkaktojnë rikthimin e sëmundjes në të ardhmen. Mjekët janë më të prirur të përdorin termin “i shëruar” për pacientët që kanë një lloj kanceri me normë të lartë mbijetese pesëvjeçare kur zbulohet herët, si kanceri i gjirit apo melanoma (një lloj kanceri i lëkurës).

Çfarë është “shërimi statistikor”? Epidemiologët përdorin edhe termin “shërim statistikor”, që do të thotë se një pacient ka mbijetuar aq gjatë sa rreziku i tij për të vdekur nga kanceri është kthyer në nivelin normal të popullsisë së përgjithshme. Për shembull, nëse dikush kishte kancer të zorrës së trashë dhjetë vjet më parë dhe tani është i lirë nga sëmundja, rreziku i tij për të vdekur nga ky kancer është kthyer në nivelin bazë që pritet për njerëzit e tjerë të moshës së tij.

Kujdes me përdorimin e termit “shërim”. Mjeku Vijay Trisal, një onkolog kirurg në qendrën kërkimore për kancerin City of Hope në Kaliforni, thotë se termi “shërim” duhet përdorur me kujdes. Edhe pse mund të ndihmojë disa pacientë të lehtësojnë ankthin dhe t’i rikthehen jetës normale, ai mund të bëjë që të tjerët të jenë më pak të kujdesshëm dhe të shmangin testet apo kontrollet e ardhshme, të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin e rikthimit të kancerit. / Live Science – Syri.net