Dy të rinj janë arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Tiranës, ndërsa u kapën në flagrancë me disa armë zjarri. Operacionin policor të koduar “Silent”, u finalizua pas hetimeve dy mujore i mbështetur nga inteligjenca policore, me qëllim goditjen e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë zjarri.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Vorë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, Arbër Hasa, 19 vjeç dhe Joldi Peca, 20 vjeç, të dy banues në Vorë, teksa udhëtonin në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”.
Gjatë kontrollit në automjetin e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri pistoleta dhe një thikë. Nga hetimet paraprake dyshohet se këto armë do t’i shiteshin grupeve kriminale, pasi të ishin modifikuar me silenciatorë.
Në vijim të veprimeve, u ushtrua kontroll në banesën e një shtetasi tjetër, G. Sh., 49 vjeç, shok i të arrestuarve, ku u gjetën dhe sekuestruan një dorezë metalike dhe një shkop gome. Ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
