A mund ta mbrojë trurin stërvitja me pesha nga demenca?

Që nga viti 2021, studiuesit vlerësojnë se rreth 57 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me demencë, një gjendje neurologjike që ndikon në kujtesën dhe aftësitë mendore të një personi.

Meqë ende nuk ka kurë për demencën, gjetja e mënyrave për ta vonuar ose parandaluar, veçanërisht me metoda jo-farmakologjike, është thelbësore për cilësinë e jetës tek të moshuarit.”

Një studim i ri i publikuar në GeroScience, me autore kryesore Ribeiro, tregon se ushtrimet me pesha mund të mbrojnë trurin e të moshuarve nga demenca, madje edhe ata me probleme të lehta mendore.

Në studim morën pjesë 44 të rritur mbi 55 vjeç me dëmtime të lehta mendore. Një grup bëri stërvitje dy herë në javë me rritje graduale të ngarkesës, ndërsa grupi tjetër nuk ushtroi fare.

Ribeiro tha se qëllimi i këtyre ushtrimeve është forcimi i muskujve, që ndihmon edhe funksionin e trurit dhe mund të ulë rrezikun për demencë.

Pas 6 muajsh, pjesëmarrësit që stërviteshin kishin përmirësim në kujtesën verbale dhe në zona të trurit që lidhen me Alzheimerin. Ndërsa grupi tjetër kishte përkeqësim.

Ribeiro tha se stërvitja mund të ndihmojë jo vetëm në përmirësim të kujtesës, por edhe në parandalimin e përkeqësimit të trurit.

Pesë persona nga grupi që bënte ushtrime nuk kishin më shenja të dëmtimit mendor në fund të studimit, një sinjal premtues për efektin mbrojtës të stërvitjes.

Ribeiro shton se stërvitja redukton inflamacionin, përmirëson qarkullimin e gjakut në tru, ndikon pozitivisht në insulinë dhe rrit faktorët që ndihmojnë në mbrojtjen dhe rritjen e neuroneve.

Dr. Gary Small dhe dr. David Cutler thonë se rezultatet janë në përputhje me studime të mëparshme që tregojnë se stërvitja ndihmon funksionin mendor. Ata theksojnë se edhe të moshuarit përfitojnë shumë, por rekomandojnë që stërvitja të bëhet nën mbikëqyrje për të shmangur dëmtimet. / Medical News Today – Syri.net