Italia dhe Hungaria nuk kanë përmbushur afatin ligjor për emërimin e autoriteteve që do të mbikëqyrin respektimin e të drejtave themelore në zbatimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale, sipas të dhënave të Komisionit Evropian. Afati i fundit për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ishte 2 nëntori i vitit 2024, ndërsa të gjitha vendet duhet të kishin identifikuar dhe publikuar zyrtarisht organet përkatëse.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Euronews se ekzekutivi i BE-së është në kontakt me Italinë dhe Hungarinë, duke i mbështetur në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor. Emërimi i autoriteteve është një hap kyç në zbatimin e Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale, i cili hyri në fuqi në gusht 2024 dhe po zbatohet gradualisht.
Ndër shtetet që e kanë respektuar afatin, numri i autoriteteve të emëruara ndryshon ndjeshëm. Spanja ka renditur 22 autoritete, Portugalia 14, Bullgaria 9 dhe Sllovakia vetëm dy. Këto ndryshime pasqyrojnë strukturën ligjore të brendshme të çdo vendi dhe rolet që u caktohen institucioneve përkatëse.
Komisioni ka theksuar se po punon me të gjitha shtetet anëtare për të siguruar një qasje të qëndrueshme dhe një bashkëpunim efektiv midis autoriteteve ekzistuese dhe atyre që do të mbikëqyrin tregun. Deri në gusht të këtij viti, shtetet duhet të kenë emëruar gjithashtu autoritetet e mbikëqyrjes së tregut, por ende nuk është bërë e ditur cilat vende e kanë përmbushur këtë kërkesë./ Euronews – Syri.Net
