Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd dolën sërish sot në protestë, për të kundërshtuar projektit të rrugës së re që sipas tyre rrezikon të shkatërrojë shtëpitë, historinë dhe jetën e komunitetit.
Banorët kërkojnë që rruga të mos kalojë mbi shtëpitë, tokat dhe varrezat e të parëve, duke propozuar ndërtimin e një tuneli si alternativë.
Gjithashtu protestuesit kërkojnë që të shpronësohen me çmime të tregut dhe të ndërtohet një tunel alternativ për të shmangur dëmtimin e zonës historike dhe të mjedisit përreth. Ata theksojnë se propozimi i tyre do të mundësonte ndërtimin e rrugës pa cenuar komunitetin dhe trashëgiminë kulturore të fshatit.
Kjo është protesta e katërt e banorëve të Hotolishtit, të cilët kundështojnë projektin e rrugës së re. Ata paralajëmruan se do të vazhdojnë me protestat deri sa t’u plotësohen kërkesat e tyre.
Sipas banorëve, ministrja Balluku ka refuzuar vazhdimisht të dialogojë me ta dhe ka shpërfillur kërkesat për një takim të drejtpërdrejtë, duke shtuar më tej pakënaqësinë dhe tensionin në zonë. Protestat, sipas tyre, do të vijojnë derisa të merret një zgjidhje e drejtë.
Një prej tyre u shpreh në protestën e sotme me tone të ashpra ndaj ministres duke kërkuar që të ketë përgjigje dhe transparencë për fatin e qytetarëve.
“Do shkojmë deri në fund, do vijmë t’iu japim përgjigje thonë, asgjë në dritë. Punimet vazhdojnë. Ne çfarë do presim më? Duhet të ngrihemi. Të shkojma ta kapim për fyti edhe ministren. Me çfarë të drejte vjen ajo këtu? Në cilin shtet të botës bëhet një projekt për rrugën dhe nuk shihet një fshat i tërë”, u shpreh ai.
“Protestat do vijojnë pa ndërprerje. Do vendosim si komitet. Nuk mund ta imagjinoj këtë papërgjegjshmëri nga ministrja Balluku. Duhet të dërgonte të paktën një letër të sqaronte. Jemi shumë të indinjuar. Tek e fundit nuk kemi çfarë humbim. Me cfarëdo shpërblimi do të më japin, ku do përplasem unë 60 vjeç? Ndaj ju ka votuar një komb i tërë, që të japin zgjidhje. Po kush po pyet për tokat më, po shtëpinë? Veç plumbi e ndan këtë punë. Edhe serbi nuk e ka bërë këtë punë, ka vra njerëz në rrugë, po shtëpitë i ka lënë”, tha një tjetër protestues.
