Rama në Lezhë: Çfarë këngësh ka kënduar ‘bufi’ që mori 6 milionë dollarë për t’i nisur në SHBA?

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste në Lezhë, komentoi me tone ironike reagimet e opozitës dhe veçanërisht të Sali Berishës për përfshirjen e reperit Noizy në fushatën e PS.
Rama tregoi një anekdotë lidhur me interesin personal të artistit për Rrugën e Arbrit, duke theksuar se për Noizyn kjo rrugë kishte vlerë simbolike, për shkak të prejardhjes nga Dibra.

“Noizy më pyeste shpesh për Rrugën e Arbrit. I thashë, pa ardhur ti me plumb pushke nga Tirana në Peshkopi, nuk e lëmë pa bërë. Sot ajo rrugë bëhet me makinë sportive, pa dëmtuar as veshkat, as nervat,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nuk kurseu ironitë në adresë të Berishës, duke e krahasuar me “bufin” – term që e ka përdorur shpesh kohët e fundit për liderin e opozitës – dhe e vuri në kontrast me suksesin muzikor të Noizyt. “Noizy ka plot albume, por bufi çfarë kënge ka kënduar për të marrë 6 milionë dollarë dhe për t’i nisur në Amerikë për të zhdukur gjurmët e lobimit?” – tha Rama, duke iu referuar çështjes së financimeve të dyshimta për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ngarkuar elektoral, ku retorika mes shumicës dhe opozitës po bëhet gjithnjë e më e ashpër.