Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë. Një 68-vjeçar është marrë me forcë në rrugën “George W. Bush” në Tiranë dhe është mbajtur peng në një zonë periferike. Më pas autorët kanë kërcënuar bashkëshorten e 68-vjeçarit për t’i marrë 2 000 000 lekë.
Ngjarja ka ndodhur më datë 29.04.2025. Policia ka vënë në pranga pesë persona, bëhet fjalë për dy vëllezër të moshës 31 dhe 21 vjeç, një tjetër shtetas i moshës 21 vjeç si edhe një 32-vjeçare, dhe një shtetas 52-vjeç, banues të gjithë në Tiranë.
Shuma e parave i është dorëzuar 57-vjeçarit në zonën e Saukut, nga bashkëshortja e 68-vjeçarit.
Pas disa orësh kërkimi, autorët janë kapur dhe një shumë prej 1,746,000 lekësh, të sekuestruar gjatë hetimeve, është gjetur dhe konfiskuar.
Të arrestuar janë Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu, Nikoleta Begolli.
Njoftimi i policise
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imediat”.
Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi.
Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve.
Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu, Nikoleta Begolli..
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Morën peng 68-vjeçarin dhe kërcënuan gruan për t’i marrë 20 milionë lekë! Arrestohen autorët në Tiranë (Emrat)
