Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka prezantuar planin konkret të Aleancës për Shqipërinë Madhështore për 100 ditët e para të qeverisjes, duke u fokusuar te përmirësimi i menjëhershëm i kushteve të jetesës për qytetarët në nevojë.
Në një deklaratë për media, Haxhiu theksoi se “Paketa e Dhembshurisë” synon të japë zgjidhje të menjëhershme për varfërinë ekstreme dhe të rikthejë dinjitetin e munguar për mijëra familje shqiptare.
Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu
Të nderuar qytetarë!
Aleanca për Shqipërinë Madhështore brenda 100 ditëve të para do të ndërhyjë në përmirësimin direkt të cilësisë së jetës së shqiptarëve. Paketa e dhembshurisë është zgjidhja e menjëhershme e varfërisë ekstreme në të cilën ndodhen familjet në nevojë. Aleanca jonë do të qeverisë me dhembshuri për popullin e vet, duke përkrahur atë shtresë të shoqërisë që është më në nevojë.
Ne e dimë mirë që familja shqiptare sot është në kushtet e mbijetesës. Plotësimi i kushteve më bazike të jetës është kthyer në një sfidë të madhe sepse në Shqipëri janë rrogat dhe pensionet më të ulëta, por çmimet e larta si në vendet më të zhvilluara të Europës. Shqiptarët paguajnë përherë e më shumë para në sektorin e arsimit jopublik dhe spitalet private sepse ka rënë cilësia e shërbimeve në institucionet shtetërore dhe është rritur vështirësia për t’i aksesuar ato.
Aleanca Për Shqiperinë Madhështore brenda 100 ditëve të saj të para do të kthejë dinjitetin në jetën e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që janë në nevojë.
Me anë të Paketës së Dhembshurisë asnjë ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, për gratë, studentet, pensionistët etj, nuk do të jetë nën 200 euro që është minimumi jetik. Pensionet që u jepen sot të moshuarve janë tallëse dhe nuk dalin as për të blerë ilaçet. Gjyshërit, prindërit tanë nuk e mbyllin dot muajin me pensionet që marrin, por presin ndihmën nga familjarët e tyre. Do të vendosim listën e rimbursimit 100% të barnave, identike me vendet europiane. PD-ASHM do të rrisë pensionet me 20%.
Paga minimale do të jetë 500 euro dhe paga mesatare 1200 euro. Shqiptarët do t’i afrohen pagës europiane, në mënyrë që Europën ta ndërtojnë në atdheun e tyre.
Karta e konsumatorit do t’u kthejë shqiptarëve deri në 450 euro në vit si kthim TVSH-je. Me anë të kësaj karte, çdo pensionist, çdo qytetar në minimumin jetik, do të marrë ushqimet dhe gjërat bazë, 20% më lirë se qytetarët e tjerë.
Shqiptarët e paguajnë energjinë më shtrenjtë se kudo në Rajon, ndërkohë që është prodhuese dhe eksportuese e energjisë. Çmimi i energjisë do të jetë 7 lekë kë/h. Çmimi i naftës do të ulet me 35%. Nafta nuk do të shitet më shumë se çmimi i saj në Maqedoni apo në Kosovë.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet personave me aftësi të kufizuar. Ata do të mbështeten me pagesa dinjitoze, me shërbime të specializuara dhe me pagesa të kujdestarëve të tyre dhe njohjen e vjetërsisë në punë të kujdestarëve.
Në 11 Maj votoni programin që nxjerr Shqipërinë nga varfëria dhe nxit zhvillimin ekonomik për ta bërë Shqipërinë vërtet Madhështore.
Në 11 Maj votoni NR.1!
