Aulona Bylykbashi: Një fushatë e zemrës, për fëmijët dhe të ardhmen europiane të Elbasanit

Që prej datës 11 prill, Aulona Bylykbashi, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në listën e hapur, ka zhvilluar një fushatë intensive në rajonet 1, 2 dhe 3 të qytetit të Elbasanit, duke u angazhuar derë më derë me qytetarët dhe duke përcjellë mesazhin e një politike të ndershme, të hapur dhe të orientuar nga e ardhmja.
E shoqëruar nga Adi Qose, kandidat në listën e mbyllur të PS-së, Aulona ka vizituar bizneset lokale, si dhe ka takuar qindra qytetarë në lagje si Beqir Dardha, Qemal Stafa, Fushë Mbret dhe në zonën panoramike të Krasës.Në çdo ndalesë, ajo ka sjellë një mesazh të qartë: “Unë jam njëra prej jush. Jam nënë, jam bijë e këtij qyteti dhe dua që fëmijët tanë të rriten si qytetarë europianë, këtu, në shtëpinë tonë.”

Në lagjen “Beqir Dardha”, energjia e fitores u ndje fuqishëm që në nisje të fushatës, ndërsa në “Qemal Stafa”, aty ku është rritur vetë, Aulona përjetoi emocione të veçanta, duke premtuar se dera e saj do të jetë gjithmonë e hapur për çdo qytetar.
Takimi me banorët e Fushë Mbretit ishte një tjetër moment kulmor, ku Aulona vlerësoi shpirtin punëtor të komunitetit dhe u zotua të vazhdojë investimet në ujësjellës, infrastrukturë, ndriçim dhe shërbime publike, duke përmendur rëndësinë e fondeve europiane për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
Në Krasë, “mushkërinë e qytetit”, Aulona përmendi projektet në mjedis dhe infrastrukturë, duke theksuar nevojën për ruajtjen dhe përmirësimin e hapësirave të gjelbra si pjesë e një vizioni të qëndrueshëm për brezat e rinj.
“11 maji është një moment historik,” është shprehur Aulona Bylykbashi. “Është dita kur qytetarët kanë mundësinë të votojnë jo vetëm për sot, por për të ardhmen e fëmijëve tanë. Një të ardhme ku çdo vajzë dhe djalë i Elbasanit të ketë të njëjtat mundësi si bashkëmoshatarët e tyre në Europë.”
Përmes një fushate intensive, të ndershme dhe të ngrohtë, Aulona Bylykbashi po dëshmon se ndryshimi fillon me përulësi, dëgjim dhe punë të palodhur.