Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, ka denoncuar live në SYRI TV, investimet elektorale që po bëhen në fshatrat e Klosit.
Në edicionin e mesditës në SYRI TV, Çollaku denoncoi si autoritetet lokale shtrojnë rrugën e fshatit Suç, njësia administrative e Klosit, e cila për vite të tëra ka qenë në gjendje të mjeruar dhe se sot, atje kanë zbarkuar mjetet e rëndë.
Kandidati i PD tha se ka lajmëruar policinë, e cila pritet të mbërrijë në vendngjarje dhe të kryejë verifikimet përkatëse.
Basir Çollaku: Unë jam në Klos. Ashtu siç e shihni janë makinat e bashkisë Klos duke bërë një investim, për të cilin nuk ka as tabelë e as të dhëna zyrtare për çfarë po punohet.
Sigurisht që është ofertë elektorale për të penguar ndryshimin dhe vullnetin e qytetarëve. Aktualisht kam njoftuar edhe shërbimet e Policisë së Shtetit të Komisariatit të njësisë vendore, Mat. Pres reagimin e tyre. Më thanë që kanë vënë në lëvizje mjete për të ardhur e për të parë se çfarë po ndodh.
Tashmë kjo është bërë përditshmëri dhe janë bërë shumë intensive në këto kohë elektorale.
Policia dhe prokuroria na kanë thënë së paku, që nee do të kryejmë veprimet procedurale për të parë nëse praktikat e autoriteteve lokale i kanë miratuar fondet më herët dhe nëse janë ligjore.
Kjo është përgatitja e fazës së parë që e përgatisin për ta shtruar me asfalt.
Unë jam në pritje të mbërritjes së forcave policore.
