Një person i maskuar, qëlloi katër herë mbi Renato Hoxhaj në Vlorë, duke i marrë jetën. për ngjarjen që tronditi qytetin bregdetar të dielën, deri më tani janë pyetur pesë persona, ndërsa ende nuk ka një pistë konkrete dhe autor të dyshuar për krimin. Bashkëjetuesja e viktimës, foli për mediat, duke u shprehur se Renato nuk kishte pasur konflikt me njeri ndërsa shtoi se në momentin e ngjarjes kishte dëgjuar krismat, por nuk kishte dalë se kishte menduar që ishin fishekzjarre.
Syri Tv
Detaje të tjera janë zbuluar nga blutë e Vlorës mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku u ekzekutua 58-vjeçari Renato Hoxhaj. Një prej kamerave të sigurisë ka arritur të filmojë autorin, i kamufluar me kapele dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën. Nga kamera shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit. Sipas informacioneve nga policia, në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të goditura nga një armë tip pistoletë 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.
Deri më tani, kamera e sigurisë ka filmuar autorin i cili është larguar po nga e njëjta rrugë pranë kodrës së Kuzumbabasë. Grupi hetimor po mbledh kamerat edhe në zonën përreth, me qëllim për të mbledhur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorit. Policia deri më tani ka shoqëruar 5 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë deri më tani detaje që mund të ndihmojnë grupin hetimor për ngjarjen. Bashkëjetuesja e viktimës është shprehur para grupit hetimor dhe ka deklaruar se nuk di që 58-vjeçari të ketë pasur konflikt. Ndërsa më pas në një intervistë televizive, ajo ka theksuar se ka dëgjuar të shtënat, por duke menduar se ishin fishekzjarrë.
‘Më pyetën vetëm për këtë. Pe gjë më thanë, nuk pash gjë i thash unë. Unë s’pash gjë. Unë isha brenda i thashë. Unë e dija se ishin fishekzjarre i thashë. Mendova i thashë se ishin fishekzjarre, mendova. Nuk dola i thashë, se po vishesha. Në atë kohë, i thashë unë, po vishja rrobat, e s’mund të dal. Si do dilja unë. Nuk di të ketë pasur konflikt. Nuk më ka treguar gjë’.
Ngjarja që tronditi Vlorën një ditë më parë, mbetet ende mister, për shkak se viktima nuk kishte precedent penal, ndërsa kjo vështirëson edhe punën e hetuesve për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
