A është e vërtetë që patatet janë të këqija për shëndetin?

Patatet janë një nga ushqimet bazë në dietën e përditshme. Megjithatë, ato kanë fituar një reputacion negativ për shkak të shqetësimeve se mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak, gjë që, nëse ndodh shpesh, mund të shtojë rrezikun për diabet.

“Kjo varet nga lloji i patates dhe mënyra si e përgatit,” thotë dr Christine Bosch nga Shkolla e Ushqimit dhe Nutricionit në Universitetin e Leeds-it. Ajo shpjegon se megjithëse patatet e zakonshme shkaktojnë një rritje më të madhe të sheqerit në gjak sesa patatet e ëmbla, ato janë një burim i vlefshëm i karbohidrateve, një makronutrient kyç. Patatet përmbajnë gjithashtu fibra dhe polifenole, të cilat ngadalësojnë tretjen dhe të lënë të ngopur për më gjatë.

Megjithatë, jo të gjitha patatet janë njësoj. Llojet me përbërje dyllore shkaktojnë zakonisht një rritje më të vogël të sheqerit në krahasim me llojet më miellore si Maris Piper. Bosch thekson se heqja e lëkurës ul përfitimet shëndetësore: “Një patate prej 150 gramësh përmban rreth 2 gramë fibra, por e qëruar ka vetëm 1 gram. Lëkura përmban gjithashtu një përqendrim më të lartë të polifenoleve.”

Mënyra se si i gatuajmë dhe i servirim patatet ndikon gjithashtu në efektin e tyre në shëndet. Ushqimet që shpërbëhen më shpejt në sheqer priren të shkaktojnë rritje më të forta të nivelit të sheqerit. Patatet e shtypura e rrisin më shpejt sheqerin në krahasim me patatet e ziera me gjithë lëkurë.

Një këshillë për t’i përgatitur patatet në mënyrë që të kenë ndikim më të ulët në sheqerin në gjak është “t’i zieni dhe t’i lini të ftohen”, thotë Bosch. Qoftë të ngrëna të ftohta apo të ngrohura më vonë, kjo e ul indeksin glicemik (i cili tregon sa shpejt një ushqim rrit sheqerin në gjak) me 30-40%.

Studimet kanë treguar gjithashtu se ngrënia e patateve të vetme nuk rrit domosdoshmërisht rrezikun për diabet. Por gatimi i tyre me shumë krem, gjalpë apo vaj mund të ketë pasoja negative. “Gjithsesi, nëse nuk e tepron, është në rregull,” përfundon Bosch. / The Guardian – Syri.net