SYRI TV/ Fantazma e Sharrës, 1.5 mln € në tre ditë nga e besuara e Ramës, Ristani vijon traditën e Ve

Duke shfrytëzuar paprekshmërinë e krimeve intelektuale që i quan kru i SPAK Altin Dumani, kryebashkiakja e komanduar e Tiranës Anuela Ristani, vijon traditën e Erion Veliajt me pagesat prej miliarda lekësh, për inceneratorin që nuk ekziston.

E besuara e Edi Ramës ka kryer dy pagesa drejt kompanisë që menaxhon landfillin e Sharrës për një vlerë totale mbi 1.4 miliardë lekë të vjetra ose rreth 1.5 milionë euro. Ndërkohë që SPAK ka arritur të ngrejë akuzë vetëm për disa zyrtarë të nivelit dytësor administrative, ndonëse prej 9 vitesh, miliarda lekë të qytetarëve shqiptarë, shkojnë në drejtim të paditur.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, e konsideron aferën e inceneratorit të Sharrës një krim intelektual, të vështirë për t’u hetuar dhe, rrjedhimisht, edhe të pamundur për të ndalur hemoragjinë e miliona eurove të qytetarëve drejt një shërbimi që nuk kryhet.

Mbi këtë garanci paprekshmërie, Bashkia e Tiranës vijon e pashqetësuar të paguajë faturat mujore qindra mijëra euro për kompaninë koncesionare “Integrated Energy bv”.

Në mesin e muajit Prill, brenda vetëm tre ditësh, Anuela Ristani, drejtuesja e caktuar nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, ka kryer dy pagesa drejt kompanisë që menaxhon landfillin e Sharrës për një vlerë totale mbi 1.4 miliardë lekë të vjetra ose rreth 1.5 milionë euro.

Në 16 Prill 2025, Bashkia e Tiranës ka paguar një faturë në vlerë prej 650 milionë lekë të vjetra. Vetëm dy ditë më pas, në 18 Prill, Anuela Ristani i ka dhënë drejtim një tjetër fature, në shumën e mbi 750 milionë lekëve të vjetra.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, e cila po heton prej gati 5 vitesh aferën qindra milionë euro të inceneratorit fantazmë të Sharrës, ka arritur të vendosë para drejtësisë vetëm disa zyrtarë të nivelit të rëndomtë administrativ, pa guxuar të shkojë tek drejtuesit e lartë qeveritarë, të cilët ishin ideatorët dhe urdhëruesit e një prej skandaleve më të rënda financiare në historinë e pluralizimit shqiptar.

Në shtator të vitit 2016, qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës me një kompani anonime, ‘Integrated Energy bv”.

Pas më shumë se 9 vitesh nga kjo kontratë me kosto koncesionare 128 milionë euro dhe me kosto reale disa herë më të lartë, inceneratori nuk ekziston, megjithëse Bashkia e Tiranës vijon të paguajë këtë shërbim të pakryer.