Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se “niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto sot është 2,5 herë më i lartë në vetëm një dekadë. Ambicia, por edhe projeksioni ynë për 2030-n është 35 miliardë euro”.
Në një bashkëbisedim sot me pedagogë dhe studentë të Universitetit të Vlorës, Rama tha se “në këtë fazë të fundit të rrugës drejt 11 majit thashë të filloj nga Vlora me një prezantim faktesh pa shumë komente apo opinione, thjesht faktesh, duke nisur nga një pasqyrë e përgjithshme e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”.
Rama tha se “krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria ka nivelin më të lartë të rritjes së prodhimit të përgjithshëm në rajon. Burim i kësaj tabele është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nuk është qeveria shqiptare. Kështu që nëse në rajon Prodhimi i Përgjithshëm është rritur mesatarisht 64%, në Shqipëri është rritur 109,6%”.
Duke u ndalur tek të ardhurat për frymë, Rama tha se “kur ne morëm detyrën këto të ardhura ishin 3324 euro ndërsa këtë vit janë 10 324 euro, pra 3-fish më të larta. Projeksioni ynë është që në 2030 të jenë 15 000 euro. Ky projeksion është bërë me ekspertë të MF dhe me ekspertë ndërkombëtarë që punojnë me ne”.
