Nga zemra e Tropojës në zemrën e publikut, Sokol Marsi: Gjithçka vjen nga rrënjët tona

Në skenën e Operas u zhvillua koncerti festiv me ritmet autentike të Tropojës, nën drejtimin artistik të Sokol Marsit. “Odeon”, në Syri TV, i ka kushtuar një emision special këtij eventi, duke sjellë për publikun emocionet e një shfaqjeje të jashtëzakonshme, të ndërtuar mbi pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.

” E veçanta është se gjithë tematika muzikore dhe koreografike është në krahinën e Tropojës,” u shpreh drejtori artistik Sokol Marsi. “Gjithçka që ndodh në skenë vjen nga tradita e Tropojës: kërcimet, ritmet, kostumet, vallet dhe këngët. Gjithçka është tropojane, por e sjellë dhe e stilizuar bukur.”

Në këtë shfaqje u ndërthur kënga vokale me veprimin skenik, performancat koreografike dhe një përshkrim vizual të traditës përmes projeksioneve, duke krijuar një dimension të ri artistik në interpretim.

Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm. “Po mendojmë që përveç natës së premierës, ta rivëmë shumë shpejt në skenë, sepse publiku e do sërish,” theksoi Marsi. Në këtë koncert mori pjesë trupa artistike e Ansamblit Kombëtar dhe artistë të ardhur nga Tropoja, duke ndërthurur brezat në një përqafim të traditës.

Një numër i veçantë ishte “Shtatë ritme dardane”, interpretuar nga shtatë tupanxhinj, ndërsa surpriza e madhe ishte një fëmijë i vogël që performoi në mënyrë të shkëlqyer në tupan. Në skenë u ngjitën mbi 100 artistë, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të madhe folklorike. “Misioni i Ansamblit është që gjithmonë të përcjellë në skenë vlerat më të mira të trashëgimisë sonë kulturore, si në vokal, ashtu edhe në koreografi,” tha Marsi, duke shtuar se “përpiqemi ta pasurojmë repertorin jo vetëm me krijime të njohura, por edhe me vepra të reja.” Në këtë shfaqje u vërtetua edhe një herë se “tradita dhe folklori ynë janë një pasuri e pashtershme, ku gjithmonë mund të gjesh një motiv të bukur.”