‘Babai i kandidatit të PS dha shembullin më të keq’/ Spahiu: Fitorja jonë në Bulqizë është e sigurt, PD do të triumfojë me dinjitet

Kandidati për deputet i “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj një ngjarjeje të ndodhur në Bulqizë, ku babai i kandidatit të PS ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të degës lokale të PD, Shaqir Manjani. Ai e cilëson këtë akt si shembullin më të keq dhe më të papranueshëm që mund t’i jepet një djali nga prindi i tij.

Spahiu thekson se dhuna nuk ka asnjë lidhje me mënyrën se si duhet zhvilluar një fushatë elektorale dhe se ai vetë nuk ka përdorur kurrë dhunën si mjet politik gjatë 12 viteve të angazhimit të tij. Ai vlerëson reagimin e Manjanit, i cili, siç shprehet, ka zgjedhur rrugën e duhur përmes denoncimit në organet ligjzbatuese.

Në vijim, kandidati i PD-së i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të veprojë shpejt dhe me drejtësi.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Spahiu shprehet i bindur për fitoren e Partisë Demokratike në Bulqizë, duke theksuar se ajo do të vijë me votën dhe mbështetjen e qytetarëve që kërkojnë ndryshim dhe dinjitet.

Postimi i plotë:

Babi i kandidatit të PS në Bulqizë ka dhënë shembullin më të keq dhe më të papranueshëm për djalin e tij me aktin e dhunimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Shaqir Manjani.
Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo.
Në asnjë rast apo rrethanë nuk do t’i lejoja vetes kredo politike nëpërmjet dhunës. Nuk e kam bërë asnjëherë në 12 vite angazhim politik.
Shaqir Manjani, përveçse është kryetar i partisë që drejton fushatën time, me profesion është avokat dhe ka zgjedhur mënyrën më të mirë, dhe të vetmen që duhet ndjekur: denoncimin në organet ligjzbatuese.
I bëj thirrje SPAK të veprojnë shpejt dhe drejt, si një mesazh i qartë se hetimi dhe gjykimi i ngjarjeve të tilla bëhet vetëm prej tyre, dhe jo nga unë, rrjetet sociale apo mediat.
Partia Demokratike dhe unë do të dalim fitues në Bulqizë, me votën dhe mbështetjen e qytetarëve që duan ndryshim dhe dinjitet. Fitorja jonë është e sigurt sepse është ndërtuar mbi punë, respekt dhe besim.