A do të vijojë Vlora të ‘notojë’ mes pirgje mbeturinash dhe premtimeve boshe të kryebashkiakut Ermal Dredha për landfill?!

Më 27 prill, fill pas dy ditëve, kryebashkiaku u Vlorës Ermal Dredha ka premtuar se do të vihet në funksion landfilli i Sherishtës.

Por të kthehemi pas në kohë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me premtimet boshe dhe të pambajtura të Ermal Dredhës, kreut të pushtetit vendor të Vlorës, i cili edhe vetë është i vetëdijshëm se vënia në funksion e landfillit të Sherishtës më 27 prill, është premtimi i gjashtë i tij, që vështirë se mund të jetë i realizueshëm.   

“Mbeturinat tashmë në vendin e tyre!” – u shpreh ai, duke theksuar se ‘nuk do të hidhen më mbeturina në pikën e grumbullimit në Vlorë dhe se në Orikum do të nisë kapsulimi i mbetjeve, duke mbyllur përfundimisht një kapitull problematik për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë zonë’.

Le të shohim çfarë ka ndodhur ndër vite me deklaratat e kryebashkiakut Dredha, për t’i dhënë fund pirgjeve me mbeturina, të cilat ofrojnë një panoramë jo të këndshme për pushuesit dhe turistët që zgjedhin Vlorën përgjatë sezonit turistik.

Premtimet e dhëna për landfillin e Sherishtës:

Korrik 2023 – Në kulmin e zjarreve në pikën e grumbullimit të mbetjeve në lagjen “Kushtrimi”, Dredha deklaroi:

“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset në funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.” ​

Pranverë 2024 – Gjatë një vizite në Vlorë, kryeministri Edi Rama kërkoi që landfilli të ishte gati përpara sezonit turistik. Dredha premtoi:

“Ne themi ta fillojmë tani.” ​

Mars 2025 – Pas një zjarri tjetër në fushën e mbetjeve, Dredha deklaroi se:

“Shpresoj që brenda kësaj jave të fillojmë me depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sherishtës.” ​

Pavarësisht këtyre premtimeve, landfilli i Sherishtës vazhdon të jetë jashtë funksionit. Zjarret dhe ndotja në pikat ekzistuese të grumbullimit të mbetjeve, vijojnë të jenë një problem serioz për qytetin e Vlorës. Verifikimet në terren tregojnë se nuk ka asnjë gjurmë të funksionimit të landfillit, dhe nuk është e qartë se kur do të jetë funksional.