Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, mesazh ngushëllimi për Papa Françeskun, kujton takimin e veçantë…

Kreu i KMSH, Bujar Spahiu në një postim në Facebook, shkruan se ndarja nga jeta e Papa Françeskut është një humbje e madhe për gjithë botën, veçanërisht për ata që besojnë në paqe, dialog dhe bashkëjetesë ndërfetare.

Ai ndan me ndjekësit e tij një mesazh prekës, ku kujton me nderim takimin e veçantë me Atin e Shenjtë më 6 maj 2022, duke e cilësuar këtë moment si një nga më domethënësit në jetën e tij.

Në shkrimin e publikuar, ai vlerëson përkushtimin e Papa Françeskut ndaj dialogut ndërfetar dhe rolin e rëndësishëm që ai i atribuonte Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në shoqërinë shqiptare.

Më poshtë, gjendet postimi i plotë:

Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.

Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.

Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.

Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.

Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik.

I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!