Disa shkaqe dhe trajtime natyrale kur ushqimi ‘ju bie rënd’

Dhimbja e stomakut pas ngrënies është një shqetësim i zakonshëm që mund të shfaqet për arsye të ndryshme, nga problemet e tretjes deri te sëmundje më të rënda si gastriti, ulçera apo ishemia intestinale. Këto dhimbje shpesh vijnë së bashku me simptoma si fryrje, ndjesi djegieje, shije acidike në gojë dhe vështirësi në përtypje.

Një nga arsyet më të zakonshme është tretja e dobët, veçanërisht pas konsumimit të ushqimeve të yndyrshme. Në këtë rast, rekomandohet përtypja e ngadaltë dhe pirja e lëngjeve pas vakteve. Çaji i xhenxhefilit është një nga kurat natyrale më të mira për qetësimin e sistemit tretës.

Fryrjet janë gjithashtu shkak i zakonshëm për dhimbje, sidomos në zonën abdominale, dhe mund të zbuten me çaj nenexhiku. Kur dhimbja ndodh në pjesën e sipërme të barkut dhe shoqërohet me ndjesi djegieje, mund të jetë simptomë e gastritit. Lëngu i patates është një kurë natyrale që ndihmon në uljen e aciditetit.

Ulçera është një tjetër shkak i zakonshëm i dhimbjes së stomakut pas ushqyerjes. Në këtë rast, lëngu i lakrës dhe probiotikët ndihmojnë në qetësimin e simptomave dhe rikthimin e balancës bakteriale. Ndërsa urthi dhe refluksi kërkojnë shmangien e ushqimeve të yndyrshme, pikante dhe të aciduara. Në raste të lehta, soda e bukës dhe uthulla e mollës të tretura në ujë japin efekt qetësues.

Në raste më serioze, siç është ishemia intestinale, dhimbja shfaqet papritur dhe shoqërohet me simptoma alarmante si ethe dhe të përziera. Në këtë rast, kërkohet ndërhyrje mjekësore urgjente.

Për dhimbjet e zakonshme, masazhet abdominale dhe kompresat e ngrohta mund të jenë efektive. Por nëse dhimbja përsëritet ose përkeqësohet, rekomandohet të kërkoni ndihmën e një mjeku specialist.