Ilir Meta
TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë me shkrim për emisionin ‘Opinion’. Nga qelia numër 5 ku ndodhet prej muajt shtator të 2024, Meta ka rrëfyer se si është jeta e tij në izolim. Kreu i PL ka treguar se e kalon ditën duke shkruar, lexuar dhe bën më shumë stërvitje. Meta ka zbuluar se në ambjentet e qelisë ka mësuar edhe të gatuajë.
Ai tregon se ka njohur edhe njerëz të pafajshëm sipas tij, të cilët ndodhen në burg vetëm për mburrje statistikash. Sa i përket kushteve, Meta është shprehur se duhet dyfishuar paga e Policisë së Burgjeve, si dhe të rishikohet Kodi Penal.
Ilir Meta: Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë. Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë s’kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do më ndihmojnë shumë për të ardhmen. Nuk e konsideroj kohë të humbur, por kohë të fituar. Dhe natyrisht që kam parë se sa njerëz të pafajshëm ndodhen këtu vetëm që dikush të mburret me statistika të cilat vrasin jetë njerëzish dhe familjarësh. Duhet një reform e vërtetë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit, pasi mbi 60% e njerëzve këtu ose janë të pafajshëm ose mund të hetoheshin në gjendje të lirë, pranë familjarëve të tyre. Duhet rishikuar Kodi Penal dhe gjithë politika Penale, e cila lejon shumë abuzime në interpretim dhe shkatërron jetë njerëzish, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi. Po kështu duhen dyfishuar pagat e policisë së burgjeve, sepse kanë një punë me shumë tension dhe paga skandaloze. Përvecse edhe vaktin e premtuar prej kohësh nuk e marrin. Harrova të të them se në ping – pong jam më mirë se kurrë në jetën time duke mundur edhe sportistë nga Nigeria.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Edhe pse ka kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie, me arsyetimin se kërkon të jetë pjesë e fushatës zgjedhore, kërkesat e tij janë rrëzuar nga GJKKO./ZËRI
