Në Greqi vrasës me pagesë, në Shqipëri u kontrollohen banesat, armët e sekuestruara do të dërgohen për ekspertim teknik

Policia shqiptare ndërmori kontroll në banesat e shqiptarëve të arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.

Kontrollet u kryen dhe në banesën e Dhimitër Meçi, i njohur si “Dhimos”, njërit prej të akuzuarve si pjesë e organizatës së vrasësve me pagesë që dyshohet se u përpoqën të eliminonin Yannis Lalas në maj 2025.

Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë  dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.

Kontrolle u kryen dhe në banesën e Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara dhe Fatjon Prendi alias Fatjion Prendi, 39 vjec nga Lezha, ndërsa në kërkim është shpallur Vasil Theohari, 31 vjec nga fshati Krongj i Finiqit.

Në total gjatë operacionit ‘Provat’ u sekuestruan 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.

Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dhimitër Meci, 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; Andrea Brokeri  32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; Fatjon Prendi , 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe Petro Theohari, 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.

Njoftimi 

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Provat”.

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.

Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.

Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë.

Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë  dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.

Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.