Inflacion rekord në Kosovë: Mishi, frutat, qumështi, djathi e vezët me rritje prej 5.3%

Indeksi i çmimeve të konsumit tregon përshkallëzim të çmimeve: nga një normë vjetore prej 1,5 për qind në janar, inflacioni pothuajse u katërfishua, duke arritur në 5,3 për qind në nëntor, ndërsa rritja mujore në nëntor ishte 0,4 për qind.

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë vazhduar trendin rritës edhe gjatë muajit nëntor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës  Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) në nëntor 2025 ishte 5.3% më i lartë krahasuar me nëntorin e vitit 2024. Ndërsa, në krahasim me muajin tetor 2025, inflacioni mujor ishte 0.4%.

Sipas raportit për muajin nëntor, kulmi vjetor i rritjes u shënua pikërisht në këtë muaj, me 5,3 për qind krahasuar me nëntorin 2024. Një muaj më parë, në tetor, inflacioni vjetor ishte 5,1 për qind, me një rritje mujore 0,6 për qind.

Rritja u ushqye në masë të madhe nga produktet bazike. Frutat pësuan një rritje vjetore 16,1 për qind në nëntor dhe 15,3 për qind në tetor. Mishi u shtrenjtua duke arritur 13,7 për qind rritje vjetore në nëntor. Qumështi, djathi dhe vezët shënuan rritje dyshifrore prej 10,5 për qind në nëntor.

Një rritje e lartë gjatë gjithë vitit është vërejtur gjithashtu te kafja, çaji dhe kakaoja. Ky grup nisi janarin me 14,6 për qind rritje vjetore dhe arriti një kulm prej 18,2 për qind në qershor, ndërsa në nëntor çmimet mbetën shumë të larta me 14,0 për qind rritje vjetore.

Në rritje janë parë edhe shërbimet hoteliere, kujdesi personal, vajrat dhe yndyrat, si dhe prodhimet ushqimore bazike, të cilat në total kanë ndikuar me rreth 5.4% në inflacionin e përgjithshëm.

“Shërbime transporti (pajisje personale) 18,1%. Fruta 16,1%. Energji elektrike 15,5%. Bileta fluturimi 14,6%. Kafe, çaj dhe kakao 14,0%. Mish 13,7%. Qumësht, djathë dhe vezë 10,5%.”.

Energjia elektrike, nga ana tjetër, ishte një nga faktorët kryesorë të inflacionit në gjysmën e dytë të vitit. Në tetor, energjia elektrike u shtrenjtua me 20,3 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa në nëntor rritja vjetore ishte 15,5 për qind. Rritje shënuan edhe lëndët e ngurta djegëse, si drutë e zjarrit dhe peleti, me 9,6 për qind në nëntor.

Për të kuptuar rritjen eksponenciale drejt niveleve të larta të fundvitit, mjafton të ndiqet trajektorja e inflacionit vjetor gjatë 2025-s: 1,5 për qind në janar; 1,7 për qind në shkurt; 2,9 për qind në mars; 3,0 për qind në prill; 3,6 për qind në maj; 4,3 për qind në qershor dhe korrik; 4,5 për qind në gusht; 4,7 për qind në shtator; 5,1 për qind në tetor; dhe 5,3 për qind në nëntor.

Janar   1,5%. Shkurt 1,7%. Mars 2,9%. Prill  3,0%. Maj 3,6%. Qershor(Këtu nisi hovi i madh i rritjes)   4,3%. Korrik 4,3%. Gusht 4,5%. Shtator 4,7%. Tetor 5,1%. Nëntor 5,3%

Eksperti i ekonomisë, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit për inflacionin në Kosovë, duke theksuar se çmimet kanë arritur në nivelin më të lartë historik.

Në një postim të tij, Muharremi ka shkruar se inflacioni për muajin nëntor ka arritur në 5.3%, krahasuar me vetëm 0.7% në nëntorin e kaluar, ndërsa shumë produkte dhe shërbime bazike kanë pësuar rritje të ndjeshme.

“Dje kur publikova një grafikon për inflacion, s’mendova që sot do të duhej menjëherë të publikoj një tjetër me lajme jo të mira — që çmimet po rriten ende. Mos harroni që kur themi 5.3% është mesatarja. Kjo nënkupton një listë të gjatë produktesh dhe shërbimesh që janë rritur në çmim. Krejt buxheti i familjeve po shkon në konsum e barna kryesisht”.

Duke iu referuar trendeve të fundit, Muharremi ka kujtuar se në qershor nisi “hovi i madh i rritjes së inflacionit”, ndërsa produktet si energji elektrike, mish, kafe, çaj dhe shërbime transporti personal kanë pësuar rritje nga 10 deri në mbi 18 për qind në krahasim me vitin e kaluar./Monitor

Tabela Orientuese