Llatja: Projekte madhore për zhvillimin e Elbasanit, nga shkollat dhe rrugët, te kompleksi i ri sportiv dhe bypass-i

Gjatë një takimi me banorët e Rajonit Nr. 2 në Elbasan, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka prezantuar disa nga projektet më të rëndësishme që janë duke u zbatuar apo do të nisin së shpejti në qytet. Ai vuri në dukje se investimet po prekin të gjitha fushat, nga infrastruktura rrugore dhe arsimi, te hapësirat sportive dhe zhvillimi urban.“Rajoni Nr. 2 ka qenë në fokusin tonë me një sërë investimesh, që nga rikonstruksioni i shkollës ‘Onufri’ e deri te përgatitjet për projektin e shkollës ‘Vasil Kamami’. Po përgatisim gjithashtu projekte të reja për shkollat dhe kopshtet në të gjithë Elbasanin,” u shpreh Llatja.
Në fushën e infrastrukturës, ai theksoi se shumë prej rrugëve dhe shesheve të pallateve në lagjet “Çlirimi” dhe “Shën Koll” janë rikualifikuar, ndërsa theksoi edhe rëndësinë e investimeve në fasadat termike të pallateve të ndërtuara në vitet ’70 dhe ’80, si një mënyrë për të kursyer energji dhe të ardhura për familjet.Një nga projektet më të mëdha që pritet të nisë është ndërtimi i një kompleksi të madh sportiv në Rajonin Nr. 2, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Kompleksi do të jetë i dedikuar për fëmijët dhe të rinjtë, duke krijuar hapësira të reja për rekreacion dhe sport.“Do të jetë një nga qendrat më të mëdha sportive që kemi pasur ndonjëherë në Elbasan, ku fëmijët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kushte moderne,” u shpreh kryebashkiaku.

Sikundër prezantoi edhe një tjetër lajm të mirë për arsimin në Elbasan ku krahas gjithë punës së bërë në këto vite për edukimim do të ndërtohen edhe 12 shkolla të reja, për t’i dhënë më shumë mundësi dhe dije fëmijëve tanë, me kushte më të mira dhe arsim cilësor.Mes projekteve strategjike për qytetin, Llatja përmendi edhe bypass-in e Elbasanit, i cili pritet të nisë së shpejti dhe që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun dhe qarkullimin në qytet. Po ashtu, në fokus janë projektet për zonën e Kalasë, e cila po shndërrohet në një qendër të rëndësishme turistike, dhe auto-moto parku, një tjetër investim që synon zhvillimin ekonomik dhe të turizmit sportiv.Një tjetër zonë në transformim është ish-Kombinati i Drurit, që tashmë po kthehet në një zonë të lirë industriale ku çdo ditë po hapen biznese të reja dhe vende të reja pune.Gjithashtu, po vijon puna për përmirësimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm dhe urbanizimin e zonave informale, ndërsa kryetari Llatja nënvizoi se për realizimin e këtyre projekteve kërkohet një bashkëpunim i ngushtë me institucionet qendrore.