I vetëm në një karrige, Adriatik Lapaj nis ngujimin përpara zyrës së Ramës: Ju pres sot në orën 5!

adriatik lapaj perpara kryeministrise

TIRANË- Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka nisur një protestë përpara kryeministrisë, ku që prej mbrëmjes së djeshme qëndron i vetëm i ulur në një karrige. Lapaj u shpreh në nisje të kësaj proteste, se vendit i duhet një shkëndijë për të bërë ndryshimin, ndërsa pasditen e sotme, ka ftuar të gjithë qytetarët dhe mbështetësit që ti bashkohen në protestë.
“Do thoni ju cfarë bën në këtë orë tek kryeministria. Kisha 3 vjet që nuk kisha zbritur në shesh për të protestuar. Sot është 8 dhjetori, dita kur nisi lëvizja studentore rrëzoi në thonjëza komunizmin dhe kam pritur gjithë ditën të ketë reagime, protestë, inat në gjithçka po ndodh.
Por në fakt nuk ka ndodhur asgjë nga këto. Sot kam ardhur këtu 3 vite pasi protestoja dikur për çmimet, të nis një protestë tjetër, përballë Edi Ramës i cili duhet të dorëhiqet, i cili ka marrë sulm ndaj drejtësisë dhe në datë 12 Kushtetuesja duhet të shprehet.
Unë sot duhet të nis një protestë këtu, si qytetar, është simbolikë kjo nisje i vetëm dhe do të jem këtu, ditë e natë pa ndalim, jo duke ikur në shtëpi duke ngrënë dreka e darka, duke dalë në televizion e të vij këtu njëherë në kaq. Uroj që këtu të ketë qindra e mijëra protestues në ditët në vijim.
Fundja ky është fati im të jem një protestues i përjeteshëm. Kur të shprehet gjykata askush nuk mund të kërcënojë gjykatat e këtij vendi aq më shumë Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka gjë për të festuar kur luhet me fatet e vendit. Në mëngjes do i dorëzojmë kërkesën te policia, procedurën – dhe më pas jeni të mirëpritur i madh e i vogël, kur të doni këtu në shesh”, u shpreh Lapaj mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që qëndresa vazhdon edhe sot, pavarësisht se sipas tij gjatë natës kanë qenë temperaturat disi të ulëta.
Sipas tij protesta po zhvillohet për mbrojtjen e Kushtetutës dhe drejtësisë nga “kërcënimet” sipas tij që po i bën Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që gjatë natës nuk kanë munguar ‘vizitorët’, të cilët e kanë mbështetur qoftë me batanije, qoftë me ndonjë çaj të ngrohtë.
“Ju pres këtu në shesh në orën 5 përpara kryeministisë, merre motrën, merre nënën, merre vëllanë, dhe të reagojmë. Çfarë do bëjë drejtësia me këta, se në momentin që shohin se nuk ka reagim, ata nuk mbajnë drejtësi”, u shpreh Lapaj në një video të mëngjesit të sotëm. /ZËRI