Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile
TIRANË- Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, dha alarmin në lidhje situatën e përmbytjeve në vend, të shkaktuar nga moti i keq. Në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme, Çako tha se Shqipëria është praktikisht në emergjencë, edhe pse gjendja nuk është shpallur zyrtarisht, duke theksuar edhe vonesën e dokumentimit të dëmeve. Dëmet janë të mëdha në blegtori, në bletari dhe në fermat e shpendëve. Problematikat janë shtrirë edhe në infrastrukturë.
Çakto deklaroi se në fakt, kompensimet vonojnë, madje ndër vite: “195 milionë lekë ju jemi borxh qytetarëve nga detyrimet e mbartura ndër vite”.
Nga ana tjetër, deputetët e zonave të prekura kërkuan financim të menjëhershëm, sidomos të bashkive më të dëmtuara, si Saranda, Delvina e Finiqi. Megjithatë, Çako tha se nuk mund të kompensohet askush pa u dokumentuar dëmet.
“Pa i dokumentuar dëmet, nuk mund të kompensohet askush. Kemi ngritur komisionet e vlerësimit”, u përgjigj Çako.
Komisioni parlamentar u miratoi emergjencave civile një shtesë fondi prej 500 milionë lekësh, por për të zgjidhur krizën e bashkive me financimet në këtë drejtim, kërkohet të aplikohet një skemë e re. Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes, Bledar Çuçi theksoi se fondi duhet të shpërndahet për bashkitë, sipas rrezikut.
“Është shumë mirë që fondi të shpërndahet jo sipas madhësisë së bashkisë, por sipas rrezikut. Bashkitë më të vogla kishin risk më të lartë”, tha Bledar Çuçi.
Ndërkohë, bëhet me dije se janë ngritur edhe komisionet e vlerësimit të dëmeve, që po evidentojnë rast pas rasti për efekt të kompensimeve./ZËRI
