“Zgjedhjet, të lira e të ndershme”/ PD i paraqet notë-verbale delegacionit të BE: Deklaratat e Kos nuk paraqet realitetin!

partia demokratike

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka paraqitur zyrtarisht notë-verbale delegacionit të BE, lidhur me deklaratat e komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Bëhet fjalë për daklaratën e dhënë pak ditë më parë, në konferencën për shtyp të datës 21 nëntor 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me Kryeministrin Edi Rama, ku komisionerja e BE-së deklaroi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të ndershme.
“Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian.”, u shpreh Kos në konferencë. 
Në letrën zyrtare të paraqitur delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, sipas Partisë Demokratike, deklarata e tillë rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e BE-së.
“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian.”, shkruan Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së nuk harroi të kujtonte në dokument edhe mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian. Në mbledhjen e  më 4 qershor 2025, eurodeputeti Michael Gahler, drejtues i misionit të vëzhgimit të PE-së, paralajmëroi për “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që synojnë të ruajnë pushtetin politik për të vijuar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”, ndërsa theksoi se ky ndikim deformon procesin zgjedhor dhe bëhet pengesë serioze për integrimin europian të vendit.
Sipas opozitës, edhe vërejtjet e OSBE-ODIHR nuk mbështesin aspak përfundimin se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme: “Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël”.
Nota-Verbale e PD-së mbyllet duke kërkuar që deklaratat e ardhshme të përfaqësuesve të BE-së të jenë të harmonizuara me vlerësimet e institucioneve zyrtare që monitorojnë zgjedhjet. Krahas kësaj, PD shton se interpretimet personale mund të dëmtojnë besimin publik tek vlerat evropiane që institucionet e BE-së synojnë të mbrojnë.
“Opozita në Shqipëri dëshiron të shprehë rezervat e saj lidhur me komentet e Komisioneres dhe kërkon me respekt që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me vlerësimet e institucioneve kompetente përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve. Përndryshe, interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë.”, përfundon nota verbale e PD-së drejtuar delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë./ZËRI