Elton Qyno – Syri.net/
Është lënë i lirë të shkojë në banesën e tij, Julian Sula i njohur gjerësisht në Lushnjë dhe policia si “Juli i Pashakos”, i cili mesditën e sotme është marrë në pyetje në ambientet e policisë duke dhënë një dëshmi të thatë për hetuesit e çështjes.
Objektivi i atentatit në Lushnjë që fatmirësisht kaloi pa viktima, nuk ka pranuar të japi detaje mbi ngjarjen duke sqaruar se s’kishte arritur të shikonte asgjë identifikuese të dy personave që kanë dalë nga mjeti dhe më pas e kishin qëlluar.
Julian Sula, i ka treguar policisë së Lushnjës se nuk ka asnjë lidhje me Aldo Baren dhe asnjë hasmëri me këtë të fundit, duke shtuar se nuk e di kush janë personat që e kanë qëlluar me armë.
Duke refuzuar të japi detaje, Julian Sula, më pas është lënë i lirë të shkojë në banesën e tij. Sipas burimeve të policisë, ai gëzon shëndet të plotë dhe asnjë plumb nuk ka marë në trup.
“…një plagë që ka në pjesën e këmbës Julian Sula, ndodhet mbi gishtat e këmbës dhe më tepër besohet se e ka dëmtuar kur është larguar me vrap se sa nga plumbat. Megjithatë qartazi këtë pjesë do e caktojë eksperti mjeko-ligjor…”- tha një burim pranë policisë së Lushnjës.
Sipas këtyre burimeve, makina tip “Nissan” nga zbritën autorët e krimit është parë të qarkullojë rreth qytetit një orë para ngjarjes së rëndë.
Tre personat që ndodheshin në makinë, i kanë zënë pritë Julit të Pashakos në afërsi të spitalit të Lushnjës.
Sapo ai është afruar në zonën ku ata kishin parkuar makinën, dy prej atentatorëve kanë zbritur menjëherë nga mjeti “Nissan” dhe qëlluar rreth 7 herë në drejtim të mjetit jo të blinduar me të cilin udhëtonte Julian Sula.
Ky i fundit ka mundur të largohet me shpejtësi, duke i shpëtuar rrezes së plumbave të lëshuar nga dy personat e armatosur.
Aktualisht rasti po ndiqet nga policia e Lushnjës dhe Fierit si dhe prokuroria e këtij qyteti për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë.
