FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Hetimi për çështjen që lidhet me kompaninë “Bankers Petroleum”, ku u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit ka marrë tjetër përmasa. Pas kalimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit në Prokurorinë e Posaçme, dy prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në hetim. edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet e SPAK.
Konkretisht çështja është zgjeruar duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore, strukturave të pushtetit vendor dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale.
Në një përgjigje të SPAK për Weblajm thuhet se kjo dosje po hetohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në “Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse ‘Bankers’ nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro./ZËRI
