Belgjika në kaos nga greva 3-ditore, bllokohen shërbimet publike

Bota E Martë, 25 Nëntor 2025 14:53
Belgjika po përballet me një grevë të përgjithshme tre-ditore, e nisur të hënën, e cila ka paralizuar transportin, shkollat, spitalet dhe shërbimet publike. Aksioni i sindikatave vjen si kundërshtim ndaj reformave sociale dhe buxhetore të qeverisë, të cilat ata i konsiderojnë si një “çmontim social”.
Grevës i janë shtuar edhe anulime të shumta trenash në linjën Bruksel–Këln, duke ndikuar deri në Gjermani. Sipas agjencisë Belga, transporti publik do të jetë veçanërisht i goditur deri të mërkurën. Pavarësisht vështirësive, qytetarët shprehin mbështetje për grevën.

“E mbështes grevën, edhe pse është e vështirë për mua si nënë që duhet të gjej zgjidhje mes punës dhe fëmijëve,” tha punonjësja Sarah Latré.

“Reforma e pensioneve është shqetësuese. E mbështes grevën, por si mësuese nuk dua të lë nxënësit vetëm,” shtoi Sofie Verschueren.

Të martën protestës i bashkohen personeli i spitaleve, punonjësit e arsimit dhe kopshteve, si edhe sektorët publikë të posteve, pastrimit dhe transportit lokal. Ndikimi më i madh pritet të ndjehet të mërkurën, kur në grevë përfshihen edhe sindikatat e sektorit privat. Aeroportet kryesore të vendit, Bruksel–Zaventem dhe Charleroi, njoftuan se nuk do të ketë nisje fluturimesh.
Qeveria ka përfshirë në marrëveshjen buxhetore kursime prej 9.2 miliardë eurosh deri në vitin 2029, çka ka nxitur përplasjen e ashpër me sindikatat.